Deputetja e PD-së, Fatbardha Kadiu, ka reaguar sot përmes një komenti në rrjetet sociale mbi gjendjen në të cilën ndodhen shqiptarët në festat e fundvitit.

Ajo ishte sot në Kishën Ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, Durrës, ku u përcolli urimet më të përzemërta besimtarëve të krishterë për festën e Krishtlindjeve.

Kadiu ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e festave, duke u shprehur se toleranca ndërfetare është vlera që shqiptarët duhet t’i përçojnë të gjithë vendeve evropiane dhe mbarë botës. Gjithashtu, deputetja e PD-së ka bërë edhe një apel për qeverinë që të kthejë vëmendjen nga të varfrit dhe shtresat në nevojë, që janë lënë në harresë.

Komenti i plotë i deputetes Kadiu

“Sot pata kënaqësinë të jem pranë të gjithë qytetarëve të krishterë të qytetit te Durrësit, duke i uruar gëzuar Krishtlindjet, ditë të mbara dhe plot harmoni në familjet e tyre! Falënderoj At Gjerasim Cakalli, At Spiro Qosja, At Spiro Kostolli dhe të gjithë stafin e Kishës Orthodhokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, Durrës për mikëpritjen e tyre.

Toleranca ndërfetare është vlera që ne duhet t’i përçojmë të gjithë vendeve evropiane dhe mbarë botës. Por edhe në këtë ditë të bekuar varfëria është ulur këmbëkryq në familjet e shumë e shumë shqiptarëve, të cilët vuajnë për bukën e gojës. Nuk kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët, nuk kanë para për të paguar faturat e dritave, nuk kanë punë, nuk kanë shtëpi, nuk kanë drejtësi.

Qytetarët shqiptarë nuk kanë as mbështetje nga shteti apo një shpërblim për festat dhe e ardhmja e tyre është gjithnjë e më zymtë, pasi janë lënë në harresë nga qeveria dhe kryeministri, i cili mendon vetëm për xhepat e tij.

Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë vëmendje dhe një shtet që bën politika sociale dhe u vjen në ndihmë shtresave në nevojë; që mendon si t’ia bëjë jetën më të mirë qytetarëve në çdo cep të vendit!