Nga dita e premte, Kuvendi i Kosovës do të shkojë në pushim vjetor. Në këtë situatë, çështja e kufirit me Malin e Zi nuk do të dalë në votim këtë vit. Me gjasë, kjo marrëveshje e cila ende nuk i është dërguar Kryesisë së Kuvendit, do të nxirret para ligjvënësve për t’u votuar ose jo, gjatë muajit janar, kur edhe fillon punën ky institucion.

Po këtë muaj, Express ka mësuar se në vizitë për të biseduar rreth kufirit Kosovë – Mali i Zi do të vijnë kryeministri malazez me ftesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ndonëse ende nuk ka dakordim të datës se kur do të ndodhë ky takim, po ashtu mësohet se kryeministrit Haradinaj i janë përsëritur qëndrimet e Malit të Zi për Demarkacionin. Ajo për ta vazhdon të mbetet një punë e kryer.

Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, ku edhe po diskutohet për Demarkacionin se kur të vendoset data për shqyrtim, tha se Kuvendi nga e premtja shkon në pushim.

Ndërkaq, sa për informacion sesioni pranveror i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të muajit janar. Kryetari i Kuvendit i njofton deputetët për datën e fillimit dhe atë të mbarimit të sesionit të punimeve të Kuvendit.