Tradita e përvitshme e “Top Media” ka vijuar edhe këtë prag festash, duke publikuar sot, në vigjilje të Krishtlindjeve, këngën e tyre të urimit për të gjithë shqiptarët. Si çdo herë tjetër edhe për himnin e këtij viti është zgjedhur një këngë shqiptare.

“Tren për Prizren”, do të jetë lajtmotivi i këtyre ditëve festive në “Top Channel”. Video sjell nota gëzimi në fytyrat e të gjithë figurave të këtij ekrani si dhe në ato të stafit që punon në prapaskenë, por teksa pamë të parakalojnë shumë nga imazhet me të cilët takohemi çdo ditë, vumë re mungesën e drejtuesit të programit politik në “Top Channel”, Sokol Balla.

Disa ditë më parë emri i tij u lakua në media, si një prej njerëzve që do të largohet nga “Top Channel” me nisjen e vitit të ri dhe kjo mungesë na bën të dyshojmë se zërat janë të vërteta. Sidoqoftë, “Top Media” ka rezervuar shumë surpriza në këtë sezon të ri dhe gjithçka na mbetet është të presim janarin…