Ish kryetari i Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi, Aleksandar Dashtevski, si ekspert në propozim të avokatëve të Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit, sot ishte marrë në pyetje si dëshmitar në Gjykatën në Selanik. Gjatë ditës pritet Gjykata të marrë vendimin e shkallës së parë me kërkesë së autoriteteve të Maqedonisë për ekstradimin e tyre, konfirmoi për MIA-n avokati i të akuzuarve, Petar Vasilev.

“Sot vazhdoi dëgjimi i dëshmitarëve. Ishte dëgjuar Dashtevski, i cili nga ana e Gjykatës ishte pyetur për aspektet juridike në kuptim të konventave evropiane dhe konventave të të drejtave të njeriut. Ky do të jetë edhe dëshmitari i fundit në procedurën, pas çfarë pritet gjatë ditës së sotme nga ana e Gjykatës të merret vendim i shkallës së parë”, thotë Vasilev.

Nga vendimi, siç tha, do të varet kur do të parashtrohet ankesë.

Vendimi sipas ligjeve greke shpallet menjëherë, ndërsa më vonë në afat prej 24 orëve.

“Ne presim që seanca ta refuzojë kërkesën për ekstradimin e Grujevskit dhe Boshkovskit”, tha Vasilev.

Seanca paraprake ishte ndërprerë për shkak të përfundimit të periudhës kohore për seancën.

Për ekstradim në Greqi, vendos këshilli, më shpesh në përbërje treanëtarësh, dy gjykatës dhe një prokuror, në seancë publike, përveç nëse nuk dorëzohet kërkesë speciale, marrja në pyetje të mbahet me dyer të mbyllura. Pikërisht kështu ishte rasti me ish shefat në Drejtorinë për Sigurim dhe Kundërzbulim. Njëri nga avokatët në seancën e kaluar ka kërkuar që gjykimi të jetë i mbyllur për opinionin, për shkak të mbrojtjes së personave për të cilët kërkohet ekstradim.

Avokati Kostas Haxijoanu këtë kërkesë e ka ngritur me pohimin se Grujevski dhe Boshkovski në Maqedoni janë të ekspozuar në rrezik nga kërcënime dhe ndjekje.

Pasi më 29 nëntor ishte shtyrë seanca e parë për ekstradim, pas kërkesës dhe dokumentacionit të dërguar nga ana e Maqedonisë, më 13 dhjetor në rolin  e dëshmitarit të parë, Këshilli i Gjykatësve e ka dëgjuar deklaratën e avokatit të të akuzuarve, Petar Vasilev.

Përveç ekstradimit, Grujevski dhe Boshkovski kanë edhe dy procese të tjera në Greqi, të pavarura nga njëri-tjetri. Njëri është për falsifikim të pasaportave me të cilat u kapën në aeroportin e Selanikut. Gjykimi pas tre shtyrjeve do të mbahet më 17 maj të vitit të ardhshëm. Rasti tjetër është pas dorëzimit të kërkesës për azil më 29 nëntor.

Grujevski dhe Boshkovski ndërkohë mbesin në paraburgim në afërsi të Selanikut.

Grujevski dhe Boshkovski, të cilët janë të akuzuar nga PSP për lëndën “Fortesa dhe Target”, u arrestuan nga policia greke në aeroportin në Selanik më 18 tetor të këtij viti, gjatë tentimit me pasaporta bullgare të shkojnë me aeroplan për në Budapest.