Kryeministri grek, Aleksis Cipras pret në vitin 2018 të ndodh kthesë më gjerë në Ballkan, por edhe të ketë ngjarje pozitive lidhur me çështjen e Maqedonisë, nëse, siç thotë, Shkupi vendos të bëjë hapa pozitiv përpara.

“Vlerësoj se viti 2018 mund të jetë vit vendimmarrës për çështje të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me këtë sferë. E shfrytëzoj rastin t’i përmend problemet me të cilat me vite merremi me IRJM. Siç tha edhe homologu im Borisov në çështjen për Shkupin ndoshta në vitin 2018 do të sjellë disa ngjarje pozitive nëse Qeveria në Shkup vendos të bëjë hapa pozitiv përpara dhe drejt zgjidhjes së këtij problemi. Nëse ata heqin dorë nga retorika dhe deklaratat se ata janë pasardhësit e vetëm të Lekës së Madh dhe prej pohimeve të tyre irredentiste, atëherë ndoshta mund të gjejmë ndonjë zgjidhje të përbashkët. Në atë rast unë do të jem i pari që do ta garantoj perspektivën evropiane dhe sigurinë e këtij vendi. E dini, ne dëshirojmë që të bëjmë të ardhme në të cilën të gjithë së bashku do të jetojmë qetë dhe do të bashkëpunojmë. Ajo që na ndan është më e vogël në krahasim me atë se çfarë na bashkon”, tha Cipras në konferencën e përbashkët në Beograd me kryeministrat e Bullgarisë dhe të Rumanisë, Bojko Borisov dhe Mihaj Tudse dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai shtoi se ky qëllim paraqet të gjitha vendet të ndërmarrin disa hapa. Ky qëllim, siç tha, kërkon të bëjmë pozita të qarta për çështje të cilat janë shumë të rëndësishme.

“Ne katër jemi tërësisht të bindur se duhet të shkojmë përpara, të ndërmarrim dhe të bëjmë hapa të guximshëm dhe akoma më shumë ta përforcojmë bashkëpunimin me çka do ta bënim vitin 2018 vit kthese për vendet tona, për rajonin e Ballkanit dhe në përgjithësi për Evropën dhe për njerëzit tanë, pasi që njerëzit janë ata të cilët ne duam t’i mbrojmë”, tha Cipras në konferencën për shtyp në Beograd.