Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Çiçakovski, rreth një javë pas zbardhjes së skandalit me bonuset, ka kërkuar falje për jo-transparencën e institucionit, njofton Portalb.mk.
Në një intervistë për NOVATV, Çiçakovski thotë se kanë gabuar që vendimet për bonuset nuk i kanë publikuar në kohë. Për kërkesat nga opinioni që të gjithë të japin dorëheqje, ai thotë se do të mendojë plotësisht.
Ndryshe, para disa ditëve në ueb-faqen “change.org”, iniciativa qytetare “Megafon” ka ngritur një iniciativë për dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, për shkak siç thonë ata, sjelljen e tyre jo etike dhe shkeljen e parimit për punë, të publikuar në ueb faqen e KSHZ-së.
“Rrogat e anëtarëve të KSHZ-së lëvizin mes 60.000 dhe 70.000 denarë. Në 18 muajt e fundit, tre herë, kanë ndarë gjithsej 12 kompensime dhe aspak nuk e kanë informuar opinionin për atë. Ambasadori e theksoi KSHZ-në si shembull për institucion të korruptuar e cila punon pa transparencë”, thuhet në peticion.
Dorëheqja kërkohet për:
- Aleksandar Çiçakovski – kryetar
- Rexhep Prekopuca – nënkryetar
- Atanas Urumov – anëtar
- Violeta Duma – anëtar
- Igor Milev – anëtar
- Sasho Sërcev – anëtar
- Silvana Boneva – anëtar
- Subhi Jakupi – anëtar
- Ermira Asami Salija – anëtar
Peticionin mund ta nënshkruani: KËTU
Skandali në KSHZ
Ambasadori i Amerikës në Maqedoni, Xhes Bejli deklaroi se: “Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të fundit në Maqedoni ka shpërblyer veten me 9 rroga shtesë”, ndaj kësaj reagoi KSHZ duke thënë “se kompensimet janë marrë në baza ligjore”. KSHZ vendosi njëzëri që “vendimin për 9 rrogat ta publikojnë në uebfaqe por që paratë nuk do të kthehen”.