Refuzimi i pritshëm nga ana e UEFA-s për marrëveshjen që do të qetësonte aspektet financiare të Milanit nuk hap gjithsesi skenarë apokaliptikë për klubin e futbollit italian. Nuk rrezikohen përjashtime nga kupat kontinentale, por do të shkojë gjithçka drejt një marrëveshjeje që më parë e kanë pranuar edhe ekipe të tjera të Apenineve si Inter dhe Roma.

Në muajin shkurt ose mars do të ketë një tjetër kontroll të UEFA-s në llogaritë financiare të Milanit, mbi asetet e aksioneve dhe pozicionin e klubit kundrejt borxheve.

Parashikohet që kuqezinjtë të vuajnë sanksione ekonomike, limitime të listës së futbollistëve për kompeticionet europiane dhe sigurisht, një ekuilibër mes blerjeve dhe shitjeve, gjithçka nën emrin e Fair Play Financiar.

Në 3 vitet e fundit Milan ka humbur 255 milionë Euro, përveç shpenzimeve të tjera që UEFA nuk i fut në shportën e Fair Play Financiar.

Nëse kuqezinjtë nuk do të arrijnë të përmbushin as kushtet për limitimin e humbjeve, do të ketë heqje të pikëve dhe s’kualifikim nga turnetë. Por askush nuk mendon se UEFA do të arrijë deri këtu.

Pritet gjithashtu që qeveria e futbollit evropian të ndikojë në limitin e pagave. Superkontratat e portierit Donaruma dhe mbrojtësit Leonardo Bonuci, janë ato që ndikojnë më tepër në bilancin e përgjithshëm të ekipit milanez.