Banorët e Çegranit kanë zhvilluar protestë para EVN-Maqedoni kundër faturave të larta, heqjen e pagesave shtesë, faljen e borxhit për kategoritë sociale dhe ndalimin e shkyçjeve në këto temperatura të ulta.

Berat Fetai nga Këshilli organizativ sqaroi se kjo protestë nuk ka ngjyrime politike apo tjera, por kërkojnë drejtësi dhe ndalimin e kësaj goditje të rëndë për qytetarët.

“Ne i apelojmë EVN që të hap arkivat dhe të shoh se para vitit 2001, Çegrani ka qenë një nga vendbanimet më të rregullta për shlyerjen e faturave të energjisë elektrike. Ishit ju EVCN që shënuat fatura paushallë, ashtu siç deshët për më tepër se një dekadë, duke qenë komod nga mosreagimi i jonë. Prandaj një pjesë të këtij borxhi e ndjejmë fiktiv dhe të papranueshëm.”, theksoi Fetai.

Banorët u ankuan se edhe pse Çegrani është i madh me mbi 2 mijë shtëpi, EVN nuk ka bërë asnjë investim.

Kërkesat e tyre janë: Ulja e çmimit të energjisë, heqja e 33 për qindshit, të mos bëhet shkyçja e shtëpive në kushte të temperaturave të ulta, heqja e kamatave, borxhi total të bëhet me këste,  trajtimi i rasteve sociale, llogaritja të bëhet aq sa harxhohet dhe jo llogaritje paushalle.

Protesta të këtilla janë paralajmëruar edhe në vendbanime të tjera.