Qeveria do ta ashpërsojë rregullativën për punën e klubeve për lojëra të fatit. Ndryshimet në Ligjin për lojëra të fatit janë të përgatitura dhe do të vendosen në mbikëqyrje publike në faqen ENER nga fillimi i javës së ardhshme.

Këtë e paralajmëroi ministri i Financave Dragan Tevdovski sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, i cili tha se ndryshimet e përgatitura janë në drejtim të ashpërsimit të rregullativave me qëllim që të vendoset rend në këtë sferë.

“Në këtë moment për organizimin e lojërave të fatit në automat klube jepet një licencë dhe në bazë të kësaj licence mund të hapen automat klube në objekte të ndryshme. Me ndryshimet propozohet ndryshim që për secilin objekt të merret licencë të re. Tani do të ketë ashpërsim shumë më serioz të kritereve”, tha ministri.