Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushogllu deklaroi se negociatat paqësore për Sirinë që zhvillohen në kryeqytetin kazakistanez Astana janë proces i dobishëm, i cili ka rol shumë të rëndësishëm në ndërprerjen e luftës civile. Këto negociata zhvillohen mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit, ndërsa SHBA-ja ka vetëm rolin e mbikëqyrësit.

Çavushogllu deklaroi se Turqia e mbështet edhe procesin tjetër të negociatave për Sirinë, të cilat zhvillohen në Gjenevë nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, njoftoi Agjencia e lajmeve TASS.

Gjatë vizitës në Azerbajxhan ku u mbajt takimi trepalësh në të cilin mori pjesë edhe Irani, Çavushogllu shprehi keqardhje që raundi i fundit i negociatave mes palëve siriane në luftë në Gjenevë nuk ka dhënë rezultat.

Megjithatë, Çavushogllu ka shprehur kënaqësinë që përleshjet kryesore në Siri janë ndërprerë për momentin dhe ka kërkuar nga të gjitha palët e kyçura të koncentrohen në gjetjen e zgjidhjes politike.

“Ne, Rusia dhe Irani kemi për qëllim t’i japim fund kaosit në Siri dhe të sigurojmë paqe dhe stabilitet në këtë vend”, deklaroi Çavushogllu.