Plani për kthimin e qytetarëve nga Kosova të cilët ende janë në territorin e Republikës së Maqedonisë si pasojë e konfliktit ushtarak në vitin 1999 ishte temë e takimit të sotëm të ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska dhe zëvendëskryeministrit kosovar dhe ministër për Komunitete dhe kthim, Dalibor Jevtiq.

Në takim, siç kumtuan nga MPPS, ishte shprehur dëshira për mbylljen përfundimtare të kësaj çështje në vitin 2018, për çka janë formuar grupe teknike të cilat punojnë në planin për integrimin dhe kthimin e familjeve dhe tashmë është marrë mbështetje edhe nga UNHCR dhe BE.

Në Republikën e Maqedonisë janë rreth 300 persona shtetas kosovar.

Gjatë periudhës së kaluar 271 persona kanë shprehur dëshirë dhe janë kthyer në Kosovë, ndërsa për momentin janë 284 persona të cilët janë me status të personave nën mbrojtje subsidiare në RM dhe të për cilët kujdeset shteti.

Ministri kosovar Jevtiq informoi se për personat të cilët do të kthehen në Kosovë janë siguruar mjete, si dhe mundësi për punësimin e tyre me qëllim që procesi i kthimit dhe reintegrimit të tyre në Kosovë të jetë i qëndrueshëm.

Në takim është hapur edhe çështja për implementimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës për konfirmimin e periudhave të sigurimit që zbatohet prej vitit 2013, si dhe për mundësi të tjera për thellim të bashkëpunimit.