Kryeprokurori i Hagës, Serzh Bramerac vlerësoi se reagimet për aktvendimet për Ratko Mlladiqin dhe të kroatëve boshnjakë tregojnë se “shumë njerëz” kriminelë të dënuar lufte konsiderohen heronj dhe se në hapësirat e Ish-Jugosllavisë nuk ka vullnet që të pranohet përgjegjësia për krimet e luftës nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.

“Ngjarjet në dy javët e fundit treguan se shumë kriminelë të dënuar të luftës konsiderohen heronj, ndërsa viktimat dhe të mbijetuarit injorohen”, tha Bramerc në seancën e Këshillit të Sigurimit të KB-së.

Ai shtoi se rajoni “ende nuk ka vullnet që të pranohet përgjegjësia për krimet dhe të ecet përpara, veçanërisht midis udhëheqësve politikë”.

“Për fat të keq, shumë njerëz dëgjojnë kriminelë lufte të cilët fshihen pas përgjegjësisë kolektive dhe pohojnë se gjithë kombi është fajtor nëse ata shpallen fajtorë”, tha prokurori në seancën kushtuar punës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavi (TPNJ), i cili mbyllet më 31 dhjetor.

“Asnjë komb nuk është përgjegjës për krimet e luftës, faji është vetëm i individit”, tha ai.

Sipas tij, vetë rezultatet e TPNJ-së nuk do të sjellin deri në pajtim në rajon në të cilin kriminelë të shumtë ende nuk janë dënuar, ndërsa shumë viktima ende presin drejtësi.

“Politika e SHBA-së, BE-së dhe shtetet e tjera ishte vendimtare: nëse ka vullnet të qartë politik dhe nëse bashkësia ndërkombëtare e flet të njëjtën gjuhë, përgjegjësitë për krimet e luftës mund të nxirren para drejtësisë”, përfundoi Bramerc, i cili mori pozitë të re të prokurorit të Mekanizmit ndërkombëtar të gjykatave penale, trashëgimtari i TPNJ-së.