Largimi i Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria e Maqedonisë, ka ngushtuar numrat e shumicës parlamentare, e cila tani ka 61 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi, pra aq edhe sa duhet për votimin e Qeverisë.

Shumica parlamentare, me largimin e dy deputetëve të Aleancës kishte mbetur me 60 deputetë, por në radhët e saj ka kaluar një deputet i opozitës maqedonase, duke e rritur numrin në 61.

Njohësit e çështjeve politike thonë se pavarësisht numrave në ulje të shumicës, zgjedhje nuk do të ketë, jo për shkak të numrave, por insistimit të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë përmbushjen e reformave dhe zhbllokimin e procesit euro-integrues.
Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike thotë zgjedhje mund të ketë, por jo në vitin 2018.

“Ashtu sikur që duhen 61 deputetë për votimin e Qeverisë, aq duhen edhe për shpërndarjen e Kuvendit, vetëm nëse Qeveria nuk vendos që vet të jap dorëheqje. Edhe për këtë nevojitet marrëveshje mes partnerëve të koalicionit”, ka deklaruar thotë Bozhinovski, duke theksuar se Qeverinë e pret punë e madhe, në veçanti në zbatimin e reformave në gjyqësor dhe afrimin e qëndrimeve apo edhe zgjidhjen përfundimtare të kontestit me Greqinë për çështjen e emrit.