Demokratët po hasin kohët e fundit probleme ekonomike, gjë që ka detyruar kreun e PD-së, Lulzim Basha, të bëjë disa shkurtime në administratën e partisë. Basha është munduar që përmes këtyre shkurtimeve të mos cenojë ecurinë e punës në administratën e PD-së, por duket se ai e ka pasur të pashmangshme largimin e disa prej tyre. Burime brenda PD-së konfirmojë se kryetari Basha para disa ditësh ka larguar nga puna 10 punonjës në nivele të ndryshme të administratës. Mësohet se shkurtimet kanë prekur disa departamente të partisë, të cilat kishin “fryrjen” më të madhe me punonjës.

Po ashtu, këto burime sqarojnë se administrata e partisë po vuan edhe vonesat e marrjes së rrogave, për shkak se arka e PD-së nuk është në ditët e saj më të mira. Siç duket, të qënit në opozitë për demokratët po bëhet edhe më e vështirë nga ana ekonomike, duke mos mundur të sigurojnë dot as marrjen në kohë të pagesave mujore.

Në bazë të statusit të PD-së, konkretisht neni 49 i tij, që ka të bëjë me financat e partisë thuhet se: “1 – Burimet financiare të partisë përbëhen nga kuotizacionet e anëtarësisë, nga granti që jep buxheti i shtetit sipas ligjit, nga ndihma e dhurata publike që njeh ligji për partitë politike, si dhe nga çdo burim tjetër që autorizon ai. 2 – Masa e kuotës së anëtarësisë përcaktohet nga kryesia e partisë”.

Grumbullimi dhe administrimi i kuotave e kontributeve bëhet konform rregullores së brendshme. Po ashtu, PD po has në vështirësi edhe në mbledhjen e kuotizacioneve të anëtarësisë së PD-së, apo vështirësitë e tjera sa u përket donacioneve. Demokratët përgjatë vitit që lamë pas kanë harxhuar jo pak para, fillimisht gjatë qëndrimit 3-mujor në “çadrën e lirisë”, ndërkohë që më pas u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. 290 milionë lekë ishte fondi, që buxheti i shtetit vuri në dispozicion të partive politike për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.