Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian (BE) do të përmirësojnë më shumë lidhjet e transportit në Ballkanin Perëndimor që janë thelbësore për zhvillimin e konkurrencës si dhe të ekonomisë së gjelbërt dhe të integruar të rajonit, sipas ”The Financial” (finchannel.com).

BE-ja do të investojë 123 milionë euro për përmirësime të konsiderueshme të hekurudhave në Maqedoni, Shqipëri dhe KosovëKëto fonde, investimet shtesë nga BERZH-i dhe të partnerëve të tjerë pritet të rrisin ndjeshëm tregtinë si me BE-në ashtu edhe brenda rajonit.

”Njëkohësisht, ato do të kenë një impakt pozitiv dhe të prekshëm për jetët e njerëzve duke krijuar udhëtime më të shkurtra dhe duke rritur sigurinë hekurudhore”, sipas BERZH-it.

BERZH-i ka vënë në dispozicion 190,5 milionë euro hua për këto projekte, që mbështeten gjithashtu nga kontribute të tjera që vijnë nga tre qeveritë përfituese, nga Banka Evropiane për Investim si dhe nga donatorë të tjerë dypalësh që i bashkojnë burimet e tyre nëpërmjet Strukturës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.