“Qëllimi ynë sot është të ndërtojmë besimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve si dhe ndërmjet vetë institucioneve.

Të ndihmojmë për krijimin e një klime më bashkëpunuese, që do të çonte në përmbushjen e ambicieve që qytetarët shqiptarë kanë për shoqërinë e tyre; forcimin e shtetit të së drejtës, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesave për ndihmë të autoriteteve shqiptare për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin, ekstremizmin e dhunshëm, korrupsionin; dhe të punojmë më shumë me të rinjtë”.

Këto ishin disa nga prioritetet që renditi ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchard, në pritjen e saj vjetore me zyrtarë shqiptarë, shoqërinë civile, median dhe komunitetin ndërkombëtar.

Borchard u ndal në aktivitetin prej 20 vitesh të OSBE në Shqipëri, duke theksuar se këto vite shënuan përparim drejt përmbushjes së aspiratave të Shqipërisë.

“20 vite angazhim për të kaluar sfidat dhe gjetur zgjidhje, së bashku.  Në fakt, mundem dhe t’ju mërzis me lista shumë të gjata arritjesh, por po zgjedh të përmend vetëm disa:  Kontributi jonë për Kushtetutën e Shqipërisë (1998), mbështetja për Shqipërinë për shkatërrimin e materialeve të rrezikshme kimike – problem që u zgjidh, mbështetja për Kuvendin – duke rritur standardet e transparencës dhe duke sjellë veprimtaritë parlamentare më afër qytetarëve, si dhe reforma zgjedhore/mbështetja e vazhdueshme për KQZ-në”, tha kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Ai shtoi se në të gjitha përpjekjet e përbashkëta, numri i të cilave është shumë më i madh se ato që përmenda, “bashkëpunimi” ka qenë dhe vazhdon të jetë zgjidhja.

Image