Presidenti Ilir Meta organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave në Tiranë me rastin e 27 vjetorit të lëvizjes studentore Dhjetor ’90 që ccoi në rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, diktaturës më të egër në të gjithë Europën, që pas Luftës së Dytë Botërore.

Në pritjen e organizuar ka marrë pjesë edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, si dhe shumë personalitete të politika apo fusha të tjera.

“Në historinë moderne të Shqipërisë, 8 Dhjetori 1990 përbën një ditë kthese epokale për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Është dita që vrau frikën nga diktatura komuniste dhe hapi historinë demokratike pluraliste në vend.

Në krye të kësaj lëvizje historike u vu rinia studentore.

8 Dhjetori i vitit 1990 tregoi se rinia shqiptare përbënte gjeneratën më të guximshme, më të fuqishme, më demokratike dhe më idealiste të shoqërisë.

Askush nga studentët e lëvizjes studentore nuk e dinte fatin e tij të mëvonshëm në ato orë dhe ato ditë vendimtare për të ardhmen e vendit.

Por të gjithë ishin të bindur se nuk mund të vazhdojë më si deri atë ditë, cilido që të ishte fati dhe çmimi që i priste.

Por, demokracia nuk do të ishte e lehtë. Çmimi i saj do të ishte i shtrenjtë, ndaj ne sot përulemi me respekt të thellë para veprës së Arben Brocit dhe shumë të tjerë, të cilët dhanë jetën e tyre për të mbrojtur dhe çuar përpara demokracinë në Shqipëri.

Është koha që t’i besojmë rinisë më tepër përgjegjësi nëpërmjet gjithëpërfshirjes së saj në realizimin e reformave që kërkon integrimi evropian e vendit”, tha ndër të tjera Presidenti.