Bashkimi Evropian miratoi një listë të zezë me 17 parajsa fiskale, njoftoi sot në Bruksel ministri francez i Ekonomisë dhe Financave, Bruno Le Maire.

“Ne miratuam sot në nivel të BE-së një listë shtetesh që nuk kanë bërë mjaftueshëm për të luftuar kundër evazionit fiskal. Kjo listë që është një listë e zezë përfshin 17 shtete”, deklaroi Le Maire në prani të medias, gjatë një takimi të 28 ministrave të Financave të BE-së në Bruksel.

Sipas një burimi diplomatik, të 17 vendet e klasifikuara në listën e zezë janë Bahreini, Barbados, Koreja e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Grenada, Guami, ishujt Marshall, Makao, Mongolia, Namibia, Palau, Panamaja, Samoa, Samoa amerikane, Shën Lucia, Trinidad- Tobago dhe Tunizia.

“Përveç tyre, ka 47 shtete të klasifikuar në listën gri, vende që kanë marrë përsipër angazhime dhe duhen ndjekur”, shtoi Le Maire, përcjell Atsh.

Sipas një burimi diplomatik, Maroku dhe Cape Verde mund të ishin rifutur në listën e zezë, por u klasifikuan përfundimisht në listën gri pas diskutimeve të sotme.