Ministrat Evropian të Financave sot publikuan “listë të zezë” në të cilën janë 17-të shtete për të cilat theksohet se janë “parajsa tatimore”, ndërsa 47-të kombe të tjera premtuan reforma që të shmangin të etiketohen si strehimore tatimore.

Në pakon e masave, të cilat i miratoi Këshilli i Ministrave të Ekonomisë dhe Financave të BE-së janë 17-të shtete në të cilat në mënyrë të kundërligjshme mundësohet evazion i tatimit, ndërkaq Serbia, BeH dhe Mali i Zi u obliguan deri në vitin 2019 t’i përmbushin standardet ndërkombëtare dhe evropiane për parandalimin e mashtrimeve gjatë pagesës së tatimit.

Maqedonia e cila në listë është në grupin e shteteve të cilat kanë përmirësim të standardeve për transparencë, e mbështeti dokumentin e ministrave të BE-së për atë që Serbia, Mali i Zi dhe BeH të bëhen anëtare të kornizës më të gjerë ndërkombëtare për zbatim të standardeve të BE-së. Këto kërkesa i pranuan edhe Shqipëria, Turqia, Jordani, Fixhi, Suazilanda, Vietnami, Maroku, Maldivet dhe Kepi i Gjelbër.

Në “listën e zezë” vende të cilat nuk kanë dhënë garanci apo nuk kanë ndërmarrë masa se do ta parandalojnë evazionin tatimor janë Samoa amerikane, Barbadosi, Bahamet, Grenada, Guam, Makao, Ishujt e Marshall, Mongolia, Nambia, Palau, Panamaja, Shën Luçia, Samoa, Koreja Veriore, Trindidadi dhe Tobago, Tunizia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vendet nga “lista e zezë” janë ftuar ligjet dhe masat e tyre t’i harmonizojnë me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e BE-së për shmangien e pagesës së tatimit atje ku do të realizohet fitimi, ndërsa janë konfirmuar edhe një sërë “masash mbrojtëse”, gjegjësisht dënime kur do të konfirmohet se nuk parandalohet evazioni tatimor.

“Kjo nismë tashmë e dëshmon vlerën e saj, sepse shumë vende punuan për përmbushjen e obligimeve para afatit përfundimtar, në bazë të kritereve tona”, tha Tomas Tunsite, ministër i Financave të Estonisë, i cili për momentin udhëheq me Këshillin Evropian.

“Por gjithashtu, me rëndësi është ta ndjekim përmbushjen e obligimeve nga partnerët tanë nga e mbarë bota”, shtoi ai.

“Miratimi i listët së zezë të parë të BE-së për parajsat tatimore paraqet fitore kyçe, kur është në pyetje transparenca dhe drejtësia”, deklaroi eurokomisari për Çështje Ekonomike dhe Financiare, Pjer Moskovski.