Ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos gjatë qeverisjes së Kostas Karamanlisit, i cili ishte kryeministër i Greqisë nga viti 2004 deri në vitin 2009, dy herë pranoi emër të përbërë me përcaktim gjeografik për kontestin për emrin, publikoi në profilin e saj në Tuiter ish-ministrja greke e Punëve të Jashtme Dora Bakojani.

Kamenos, siç transmeton dje MIA, duke i komentuar ndodhitë e fundit në bisedimet midis Shkupit dhe Athinës, deklaroi se partia e tij Grekë të Pavarur, e cila është partner më i vogël i koalicionit në Qeverinë e Greqisë, nuk do të pranojë fjalën “Maqedoni” të përfshihet në emrin e fqinjit verior, publikoi edicioni elektronik i “Katimerinit”.

“Kamenos dy herë gjatë qeverisjes së Karamanlisit votoi për emër të përbërë, me përcaktim gjeografik, erga omnes, që ishte pozicion kombëtar , i pranuar nga të gjithë, përveç nga Laosi, me të cilin shkuam në Samitin në Bukuresht”, thotë deputetja nga partia opozitare greke Demoracia E Re.

Kamenos dje gjatë vizitës në kampin ushtarak Dalipi në Selanik, theksoi se mbeten në pozicionin e konfirmuar në vitin 1992 në takimin e liderëve partiak nën patronazhin e presidentit të atëhershëm Konstantin Karamanlis se termi “Maqedoni” në emrin e shtetit fqinj nuk është opsion i pranueshëm për Greqinë. Për ndryshim të këtij pozicioni, sipas tij, do të jetë i domosdoshëm takim i ri me presidentin e tanishëm Prokopis Pavlopulos.

Qëndrimi i Kamenosit, sipas mediave greke, shkakton shqetësim edhe në radhët e SYRIZA-s qeveritare, të kryeministrit Aleksis Cipras.

Analistët në Greqi komentojnë se Kamenosi ka shkaktuar nervozizëm në SYRIZA dhe konsiderojnë se ka ardhur koha, kur “Cipras duhet përfundimisht të intervenojë lidhur me Kamenosin”. Qëndrimi i Kamenosit për kontestin me emrin, sipas tyre, mund t’i minojë themelet e koalicionit qeveritar.

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë Nikos Koxias, madje, dje në një intervistë për televizionin shtetëror grek ERT deklaroi se kontesti për emrin duhet të zgjidhet me kompromis.

“Ajo që e kemi të nevojshme është IRJM të tregojë kulturë të konsensusit dhe kompromisit që do të thotë se as ne e as ata do të fitojnë gjithçka. Duhet të gjejmë kompromis i cili është i pranueshëm për të dyja palët dhe që do t’i rezistojë testit të kohës”, thotë Koxias.

I pyetur për deklaratën e Kamenosit, Koxias se secili ka të drejtën e mendimit të vet, por beson se në Parlamentin grek nevojitet dhe ekziston shumicë e deputetëve, ndërsa jo shumicë e partive për marrëveshjen eventuale për emrin.

Opozita greke tanimë disa muaj paralajmëron se nuk mund të ketë qëndrime të ndryshme midis partnerëve të koalicionit qeveritar lidhur me një nga çështjet kryesore politike të jashtme të Greqisë.

Partia më e madhe opozitare Demokracia e Re me kujdes po e ndjek zhvillimin e ngjarjeve për këtë çështje dhe para së gjithash qëndrimin e Kamenosit.

“Fillimisht të shohim çfarë do të dakordohet. Nëse Panos Kamenos nuk jep mbështetje, atëherë edhe ne nuk do të japim mbështetje. Nevojitet që Qeveria ta harmonizojë qëndrimin për këtë çështje”, ka deklaruar një deputet nga Demokracia e Re.

“Proto tema” publikon se udhëheqësia e SYRIZA-s qeveritare, megjithatë, do të përpiqet të sigurojë mbështetje nga partitë e tjera që të arrihet ndonjë unitet. Mbështetja me siguri do të kërkohet kryesisht në radhët e grupeve parlamentare të Demokracisë së Re dhe Bllokut demokratik – PASOK, E Majta Demokratike dhe Potami.