Komisioneri për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Qytetarinë, Dimitris Avramopoulos, flet për raportin e monitorimit të përmbushjes së kritereve të liberalizimit të vizave, ku evidentohet se Shqipëria është vendi me numrin më të madh të kërkesave për azil të pabazuara midis vendeve që përfitojnë nga regjimi pa viza në zonën Shengen.

Avramopoulos, në një intervistë për abcneës,  deklaron se KE-ja nuk po pezullon lëvizjen e lirë, por autoritetet shqiptare duhet të jenë më të ashpra në zbatimin e angazhimeve që kanë marrë përsipër.

Gjatë intervistës ai flet edhe për shqetësimin e shteteve anëtare për azilkërkuesit shqiptarë dhe për nevojën e destigmatizimit të vendit lidhur me imazhin për drogën dhe krimin e organizuar.

Dimitris Avramopulos, komisioneri për Migracionin, Punët e Brendshme, dhe Qytetarinë në BE, deklaron se vendi ynë mbetet ende shteti që ka numrin më të madh të kërkesave të pabazuara për azil dhe se ky fenomen po shqetëson vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, BE:  “Sot ne raportojmë për funksionimin e regjimit të heqjes së vizave me vendet e Ballkanit, ashtu si dhe me vendet e partneritetit të Lindjes. Raporti i sotëm është vlerësimi i parë i plotë që ne publikojmë pas hyrjes në fuqi të mekanizmit të ri të pezullimit të vizave. Bëhet fjalë për monitorimin e procesit të heqjes së  vizave për 8 vendet që përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Në raportin tonë ne bëjmë monitorimin e procesit, por nuk marrim vendime. Liberalizimi i vizave është një nga instrumentat më të fuqishme të Bashkimit Europian, që lehtëson kontaktin direkt midis njerëzve dhe forcon lidhjet me qytetarët përtej kufijve të Bashkimit Europian. Ne jemi tërësisht të angazhuar për mbrojtjen e heqjes së vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe qytetarët e tjerë të vendeve fqinj Lindorë. Ne po punojmë së bashku me qeveritë për të arritur këtë objektiv. Dua të jem shumë i qartë: Ne nuk po propozojmë apo vendosim pezullimin te heqjes së vizave, por heqja e vizave shoqërohet me përgjegjësi si për qytetarët e Shqipërisë, ashtu dhe për autoritetet kompetente. Luftë kundër emigracionit të paligjshëm dhe kërkesave të azilit të pabazuara përbëjnë sfidën më të madhe për Shqipërinë në këtë kuadër. E mirëpres faktin që autoritetet shqiptare kanë qenë aktive në forcimin e masave për të luftuar kundër migracionit të paligjshëm dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare që janë më të prekura nga kjo çështje. Këto përpjekje duhet të shtohen, veçanërisht duke zbatuar më tej aksione bilaterale të aprovuara me shtetet anëtare, sensibilizimin e qytetarëve përmes fushatave të informimit për përgjegjësitë gjatë lëvizjes së lirë në zonën Shengen, përmirësimin e mbrojtjes së kufinjve, por gjithashtu rritjen e hetimeve në luftën kundër trafikut të drogës, trafikut të qënieve njerëzore dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar”.

A keni marrë njoftime nga shtete anëtare për problematikën e azilkërkuesve shqiptarë? Ditët e fundit, ministri i Brendshëm francez vizitoi Shqipërinë dhe një nga çështjet kryesore që preku ishte ajo e azilkërkuesve shqiptarë në Francë. Të njëjtën çështje e kanë ngritur më parë edhe autoritetet holandeze?

Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, BE: “Dua të jem shumë i qartë për këtë. Është një çështje problematike. Ka disa shtete anëtare, prej të cilëve ju përmendët dy që janë shumë të shqetësuara. Por isha shumë i gëzuar kur mësova që bisedimet në Tiranë ishin shumë pozitive dhe të suksesshme. Besoj, se nuk do ketë probleme në të ardhmen. Gjithsesi, autoritete shqiptare duhen të bëjnë pjesën e tyre të punës. Duhet të jenë më të ashpër në zbatimin e angazhimeve që kanë marrë përsipër. Ne jemi të gjithë në favor të hapjes së rrugës për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane, por se edhe shtetet që janë anëtarsuar më parë duhet të kryenin detyrat e shtëpisë“.

Dhe një nga detyrat e shtëpisë që përbën dhe një nga kriteret për hapjen e negociatave të anëtarësimit është lufta kundër krimit të organizuar. Ju u shprehët se duhen rritur hetimet në luftën kundër drogës. Çfarë nënkuptoni konkretisht me këtë, duke qenë se bëhet fjalë për një nga çështjet më të rëndësishme dhe të ndjeshme aktualisht?

Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, BE:  “Nëse përbën një nga shqetësimet kryesore në vend, kjo do të thotë që jemi në rrugën e duhur, sepse kjo do të thotë që autoritetet dhe spektri politik e kanë marrë seriozisht në konsideratë këtë detyrim. Ju e dini që unë jam prej kohësh një mik i Shqipërisë. E dua Shqipërinë dhe e kam vizituar disa herë vendin. Roli im si komisioner është shumë i qartë, por si mik i Shqipërisë dua ti jap një këshillë secilit. Shqipëria duhet destigmatizuar kryesisht me çështjet lidhur me krimin e organizuar dhe drogën. Shqipëria është një  vend i madh me njerëz të mëdhenj. Vendi meriton një reputacion më të mirë dhe është shumë e padrejtë të flitet për të siç flitej për Kolumbinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 vjet më parë. Këtë e them sinqerisht, sepse dua të ndihmoj. Shqiptarët janë njerëz që punojnë fort dhe kanë shumë iniciativë. Shqipëria ka kaluar periudha shumë të vështira dhe tani po ndërton bazat e një demokracie moderne. Vendi duhet të përmbushë detyrimet ( acquis) apo ndryshe arritjet e deritanishme të BE-së, në emër të integrimit europian, por edhe në emër të shumicës së qytetarëve shqiptarë”./abcneës.al