Avokati i Popullit Ixhet Memeti ka konstatuar se tre deputetë të VMRO DPMNE-së, Kërsto Mukovski, Luben Arnaudov dhe Zhaklina Peshevska janë arrestuar në mënyrë të paligjshme, duke gëzuar ende imunitetin.  Pas kontrolleve të shumta nëpër dokumentacionet e policisë, Ixhet Memeti ka ardhur në përfundim se pjesëtarët e MPB-së kanë shkelur rregulloren për veprim të policisë dhe kërkon sanksionimin e zyrtarëve policor që nuk e kanë pyetur asnjë prej të akuzuarve nëse kanë imunitet, që është një praktikë bazë gjatë arrestimit.

Avokati i Popullit

“Avokati i Popullit konstaton se me arrestimin e deputetëve të cilët gëzojnë imunitet, u është shkelur e drejta e imunitetit të deputetit dhe parimi i prezumimit të pafajësisë pasi nuk janë respektuar normat e lartpërmendura nga ana e policisë. Deputetët, me pranga në duar janë shoqëruar deri në Gjykatë, ku pas një qëndrimi të gjatë janë liruar, ndërsa masa e paraburgimit u është shqiptuar pas disa ditësh pasi që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë vendosi për heqjen e imunitetit të deputetëve”

Memeti njoftoi gazetarët se policia ia ka dorëzuar 38 dokumente zyrtare lidhur me arrestimin e deputetëve, por në formë të përgjigjes me shkrim i kanë thënë se policia ka ndjekur vetëm Ligjin për Procedurë Penale, por se në këtë ligj mund të thirret vetëm gjykata e jo edhe policia e cila e ka rregullohen e vet për veprim.

Pjesën tjetër të fajit Mememti e hedh tek gjykatësit e procedurës paraprake Vesna Dimishkova dhe Nenad Saveski të cilët duke e ditur se deputetët kanë imunitet, kanë lëshuar urdhrin për arrest dhe paraburgim.

Avokati i Popullit

“Përse gjykata ka lëshuar urdhër për arrestimin dhe kontrollin e personave të cilët gëzojnë imunitet, pa mos u hequr paraprakisht i njëjti, në përputhje me atë që është përcaktuar në aktet normative”

Avokati i Popullit i bëri apel gjykatës që në të ardhmen, gjatë miratimit të vendimeve gjyqësore, të respektoj të drejtën e imunitetit pasi kjo nuk është hera e parë që të shkelet kjo e drejtë tejet e rëndësishme. Ai tha se edhe policia duhet të mbajë llogari se kush gëzon imunitet pasi kështu do të kthehej besimi në drejtësi dhe gjyqësor dhe në rregull në shoqëri. Veprimi i Memetit është rezultat i ankesës së grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, e nënshkruar nga 33 deputetë të cilët kanë kërkuar nga avokati që të kontrollojë shkeljet ligjore që janë bërë gjatë arrestimit të deputetëve. /Shenja