Një aksident ajror ndodhi dje në Florida të SHBA-ve, ku për pasojë humbën jetën 5 persona, 4 prej të cilëve anëtarë të së njëjtës familje.

Avioni i vogël u rrëzua dhe shpërtheu në flakë vetëm pak pasi ishte ngritur nga aeroporti “Batow”.

Piloti ishte një avokat 70-vjeçar nga Lakeland, i identifikuar si John Shannon. Viktimat e tjerë janë dy vajzat e tij, dhëndri dhe një mik i familjes.

Bëhet fjalë për Olivia Shannon 24 vjeç, e cila ishte studente në universitet, Victoria Shannon Worthington 26 vjeç, mësuese dhe bashkëshorti i saj Peter Worthington 27 vjeç, si dhe mikesha e familjes Krista Clayton 32 vjeç mësuese.

Paraprakisht si shkak i aksidentit dyshohet të jetë mjegulla e dendur, ndërkohë që një hetim ka nisur mbi rastin në fjalë.