Një atentat mafioz tronditi mëngjesin e kësaj fundjave Lezhën. Vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka u gjet i ekzekutuar brenda makinës së tij. Sipas policisë vrasja ndodhi në orën 04:25 në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës ndërsa trupin e pajetë te Aleksandër Ndokes e gjetën familjarët.

Nga të dhënat e grupit hetimor rezulton se asnjë prej banorëve nuk dëgjoi krisma ndërsa blutë e kane klasifikuar si atentat mafioz duke mos përjashtuar mundësinë e vrasësve me pagese. Për zbardhjen e ngjarjes forcat special të mbërritura nga Tirana ngritën pika bllokimi në hyrje e dalje të qytetit.

Nga ana tjetër hetuesit kanë shoqëruar disa persona ne polici. Ndonëse Ndoka nuk kishte precedent penalë nuk mund të thuhet e njëjta gjë për djemtë e tij.

Samuel Ndoka, njëri prej tyre u përfshi në një sherr që përfundoi në kanosje me armë zjarri ndaj një aktivisti të LSI në zgjedhjet e 25 qershorit në qarkun e Lezhës. Për rastin asokohe ish kryetari i LSI-së Ilir Meta deklaroi armatosjen e popullit.

Trupi i pajetë i Aleksandër Ndokës u gjet në mjetin tip “Mitsubish”, me targa AA 382 SE. Ai ishte qëlluar përpara derës së shtëpisë së tij. 48-vjeçari ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës ndërsa mbante edhe detyrën e kreut te inspektoratit për mbrojtjen e territorit. Vëllai i viktimës Arben Ndoka dorëzoi mandatin e deputetit dy vjet më parë për shkak të ligjit të dekriminalizimit.