Atalanta ka arritur të mposhtë Sassuolon me rezultatin 2-1, në takimin e vlefshëm për fazën e 1/8-ave të Kupës së Italisë dhe ka siguruar kualifikimin në çerekfinale.

Pa shumë prej titullarë, skuadra e Gasperinit mori lojën nën kontroll që në fillim, duke shënuar 2 herë në pjesën e parë, me anë të sulmuesit Cornelius dhe mbrojtësit Toloi.

Në pjesën e dytë Sassuolo e shtoi presionin, ndërsa një autogol i Toloit bëri që të rihapej sfida. Në minutën e 89’, ishte Jasmin Kurtiç që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Atalantën me 10 futbollistë, duke i bërë minutat shtesë vërtetë dramatike.

Pas vërshëllimës së 3-fishtë, Atalanta siguroi kualifikimin, ndërsa në çerekfinale do të gjejë përballë Napolin, sfidë në të cilën do të ketë edhe një mini-derbi mes futbollistëve të Kombëtares, Hysaj i Napolit dhe Berisha i Atalantës.