Këshilli Penal ka hedhur poshtë ankesat e mbrojtjes së deputetëve të VMRO-DPMNE-së për masat e caktuara për paraburgim dhe arrest shtëpiak lidhur me zhvillimet e 27 prillit në Kuvend. Ankesa e e Kërsto Mukoskit dhe Ljuben Arnaudov është hedhur poshtë, ndërsa për atë të Sashe Vasilevskit Këshilli nuk ka vendosur akoma.

Lidhur me masat e arrestit shtëpiak për Zhaklina Peshevskën dhe Johan Tarçullovskin, Këshilli i ka arsyetuar vendimet e gjykatësit të procedurës paraprake. Mbrojtja e Lupço Dimovskit nuk ka ankimuar masën.

Ndërkohë policia është duke punuar në gjetjen edhe të 5 personave të tjerë të cilët vazhdojnë të jenë të pakapshëm që nga aksioni i 28 nëntorit. Burime brenda Ministrisë së Brendshme konfirmojnë se policia posedon informacione operative për të dyshuarit por që për shkak të procedurës hetimore, të njëjtat nuk ndahen me opinionin, Alsat-M.

Për “cenimin e rendit kushtetues të Maqedonisë dhe sigurisë” dyshohen 34 persona, kryesisht ish struktura të VMRO-DPMNE-së dhe organizatorët e protestave “Për Maqedoni të përbashkët”. Hetimet për 27 prillin e përgjakshëm dhe dyshimet për krim të organizuar po i procedon Prokuroria për krim të organizuardhe korrupsion, por nga ky organ nuk konfirmojnë nëse hetimi do të zgjerohet akoma apo do të përfundojë me 34 të dyshuar.

Organi akuzës nuk jep detaje nëse bastisja e shtëpive të deputetëve Trajko Veljanovski dhe Vesel Memedi si dhe konfiskimi i celularëve të tyre mund të krijoj pista të reja hetimi apo edhe rrethana rënduese për të dyshuarit aktual