Barcelona ka ringjallur interesimin për të marrë mesfushorin e Paris Saint-Germain, Angel Di Maria, gjatë merkatos së janarit. Gjigantët spanjollë kanë filluar të mendojnë për të marrë argjentinasin që gjatë merkatos së verës, në momentin që dështuan në blerjen e Philippe Coutinho nga Liverpool, pavarësisht se ky i fundit kërkoi zyrtarisht largimin.

Coutinho është ende në “radarët” e Barcelonës, por “Diario Sport” shkruan se kryesuesit e La Liga do të përqendrohen te blerja e Di Maria në janar, ndërsa në verën e ardhshme do të kthehen në sulm për brazilianin e Liverpool.

Di Maria, i cili në të kaluarën ka luajtur me Real Madrid, rivalët historik të Barcelonës, ka vuajtur në gjetjen e një vendi si titullar te PSG në këtë sezon dhe ka luajtur vetëm 10 ndeshje në Ligue 1.

Duke qenë se Paris SG është i detyruar të plotësojë kriteret e “fair play financiar” nga UEFA, atëherë me ofertën e duhur do të jetë i gatshëm ta shesë Di Maria. Mendohet se Barcelona do të ofrojë 45 milionë euro për Di Maria, plus 15 milionë euro të tjera në formën e bonuseve. Di Maria u ble nga PSG në vitin 2015 dhe në 71 ndeshje që ka luajtur në Ligue 1 ka shënuar 18 gola.