Turqia shpreh keqardhje për shkak të vetos së SHBA-së në KS-në e KB-së të rezolutës për statusin e Jerusalemit, kumtoi Ministria turke e Punëve të Jashtme, duke vlerësuar se kjo edhe njëherë ka treguar se Uashingtoni “e ka humbur objektivitetin e vet”.

“Ne Rezolutën, e cila është përgatitur në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe legjitimitetin e nevojshëm, kërkohet nga të gjitha vendet të harmonizohen me rezolutat e tjera të KS-së së KB-së në lidhje me Jerusalemin. Vetmia e SHBA-së gjatë votimit është indikacioni më i qartë se vendimi për Jerusalemin është i paligjshëm”, theksohet në kumtesë.

Sipas Ministrisë, votimi ka treguar se vendimi i Uashingtonit për njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit, është jofunksional në çdo pikëpamje dhe do të reflektojë ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal.

Në kumtesë shtohet se Turqia “do të vazhdojë ta mbështesë Palestinën dhe popullin e saj”, para së gjithash përmes Asamblesë së përgjithshme të KB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

SHBA-ja dje në Këshillin e Sigurimit të KB-së vendosi veto në projekt-rezolutën për Jerusalemin, që në iniciativë të Turqisë e propozoi Egjipti, me të cilën vlerësohet se “vendimi për statusin e Jerusalemit nuk ka veprim ligjor dhe duhet të hidhet poshtë”.

Gjatë seancës, 14 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të KB-së e mbështetën projekt-rezolutën, ndërsa SHBA-ja votoi kundër, me çka vendosi veto në dokument.

Projekt-rezoluta u mbështet nga ana e Britanisë së Madhe, Francës, Kinës, Rusisë, Uruguait, Bolivisë, Etiopisë, Italisë, Japonisë, Kazakistanit, Senegalit, Suedisë, Ukrainës dhe Egjiptit.

Presidenti amerikan Donald Tramp më 6 dhjetor nënshkroi vendim me të cilin e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e Ambasadës Amerikane nga Tel-Avivi në Jerusalem. Vendimi i tillë shkaktoi reagime dhe protesta në një numër të madh të shteteve në mbarë botën dhe para së gjithash në vendet arabe dhe myslimane.