“Nuk do të japë dorëheqje pasi që gjatë kohës kur është marrë vendimi unë kam qenë në pushim dhe 1 javë s’kam qenë në punë. Unë nuk kam votuar për ato bonuse, për atë, nëse tani jap dorëheqje i vjen sikur ta pranoj fajin të cilin të tjerët e kanë bërë”, kjo është përgjigja e anëtares së KSHZ-së të propozuar nga Lëvizja BESA, Ermira Asani-Salija për pyetjen e Portalb.mk, se pas dorëheqjes së kryetarit të KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski dhe dy anëtarëve të tjerë, Violeta Duma dhe Igor Milev, a e shihni të arsyeshme që edhe ju të jepni dorëheqje, shkruan Portalb.mk.

“Dorëheqja individuale për të zbardhur korrupsionin në KSHZ është vetëm linçim i individëve të caktuar për të fjetur të rehatshëm mijëra të tjerë. Nuk ndjej as edhe një fije përgjegjësie morale për të marrë përsipër turpin e korrupsionit eventual në KSHZ, ngaqë jo vetëm se nuk bëj pjesë në atë kulaç po bile edhe kam investuar para personale .”Posti” të cilin unë mbaj i takon subjektit politik lëvizja Besa si opozitë më e madhe parlamentare dhe dorëheqja ime duhet vendosur nga Besa e askush tjetër. Edhe pse personalisht do të më bëhej qejfi të ndalet përbaltja e emrit tim nga mediat të cilat as që morën mundin ta kërkojnë të vërtetën”, thotë Asani-Salija.

Në lidhje me atë se a do t’i kthejë paratë të cilat i janë lëshuar në llogarinë e saj nga KSHZ, ajo thotë se pret që qeveria të merr qëndrim dhe të gjegjë mënyrë që t’i kthejë të njëjtat.

“Për sa i përket bonusit të marrë, për ato para është vendosur pa pëlqimin dhe prezencën time dhe në po të njëjtën mënyrë më janë lëshuar në xhiro llogari. Duke qenë jurist dhe duke mos dashur të marr drejtësinë në duart e mia, ato para do të ngelen të ngrira në llogarinë time deri në çastin që qeveria të merr një qëndrim dhe të gjejë mënyrë për të kthyer ato para çdo funksionar që ka marrë bonus gjatë vitit 2017. Fundja, qeveria i ka edhe kompetencat edhe institucionet për të zbatuar një vendim të tillë nëse me të vërtetë është e interesuar të përballet me korrupsionin në të gjitha institucionet e jo secili të vendos si ti kujtohet”, thotë Asani-Salija.

Asani-Salija shton se në KSHZ ka standarde të dyfyshta, pasi që dikush ka veturë dhe kartelë zyrtare, ndërkaq dikujt nuk i paguhen dhe harxhimet e rrugës.

“Deri sa jam aty nuk më janë paguar as harxhimet e rrugës që më takojnë me ligj. Dikush ka veturë zyrtare dhe kartelë ndërkaq dikush s’ka të drejtë ta marrë edhe atë që i takon”, shton për Portalb.mk, Asani-Salija.

Ndryshe dje dhanë dorëheqje kryetari i KSHZ-së dhe dy anëtarë të tjerë pas shumë reagimeve në opinion, pasi që ambasadori i Amerikës në Maqedoni, Xhes Bejli deklaroi se: “Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të fundit në Maqedoni ka shpërblyer veten me 9 rroga shtesë”. Ndaj kësaj reagoi KSHZ duke thënë “se kompensimet janë marrë në baza ligjore”. KSHZ vendosi njëzëri që “vendimin për 9 rrogat ta publikojnë në uebfaqe por që paratë nuk do të kthehen”.

Para disa ditëve në ueb-faqen “change.org”, iniciativa qytetare “Megafon” ka ngritur një iniciativë për dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, për shkak siç thonë ata, sjelljen e tyre jo etike dhe shkeljen e parimit për punë, të publikuar në ueb faqen e KSHZ-së.