Në vitin 2040, Shqipëria do të jetë pjesë e shteteve të cilat do të vuajnë nga mungesa e ujit. Alarmi është dhënë nga Instituti i Burimeve Botërore, ku vendi ynë përfshihet në hartën e 33 shteteve që do të preken nga thatësira. Studiuesit sugjerojnë, menaxhim më të mirë të burimeve ujore.

Përmbytjet që përfshinë jugun e vendit këtë vit, pas disa dekadash do t’ia lenë vendin fenomentit të thatësirave.

Sipas një studimi të publikuar nga nga Instituti i Burimeve Botërore dhe OECD, në vitin 2040 Shqipëria do të jetë pjesë e shteteve të cilat do të vuajnë nga mungesa e ujit, ose siç thotë studimi “zona me stres për ujin”.

Raporti i mungesës së furnizimit me ujë pritet të jetë në nivelet 40-80%. Kjo hartë nuk përfshin vetëm Shqipërinë por edhe pjesën tjetër të Ballkanit.

Studiuesit shpjegojnë se ka disa arsye që pritet të sjellin këtë situatë ektstreme, mes tyre renditet rritja e popullsisë botërore dhe përdorimi i ujit më tepër, si edhe ndryshimi klimatik, i cili përshpejton ciklet hidrologjike.

Një tjetër arsye që mbetet problematika kryesore, sipas studimit, vjen nga keqmenaxhimi i ujit.

Studiuesit sugjerojnë se çelësi është një menaxhim më i mirë i burimeve ujore.

Në këtë studim të Institutit të Burimeve Botërore është analizuar situata e ujit në 167 vende të botës, nga të cilat 33 do të përballen me mungesën e theksuar të ujit në 2040.

Harta e riskut të lartë përfshin jo vetëm Shqipërinë por edhe vendet në Emiratet e Bashkuara dhe Afrikën e Veriut.