Kryeministri irakian Hajder al Abadi sot ka shpallur fundin e luftës që forcat qeveritare dhe aleatët e tyre e zhvilluan tre vitet e fundit në Irak kundër grupit xhihadist Shteti Islamik (SHI).

“Forcat tona kanë kontroll të plotë ndaj kufirit irakianо-sirian dhe për këtë shkak shpall fundin e luftës kundër SHI-së”, deklaroi Abadi në fjalimin në konferencën e organizuar nga Sindikata e Gazetarëve irakianë.

Ai ka theksuar se armiku ka dashur ta shkatërrojë civilizimin irakian, por se ndërkaq nuk е ka arritur këtë qëllim.

“Ne fituam falë unitetit dhe vendosmërisë tonë. I fituam për një kohë të shkurtër”, tha Abadi.

Në vitin 2014 luftëtarët e SHI-së e morën kontrollin mbi një të tretën e territorit të Irakut dhe u afruan pothuajse deri në paralagjen e Bagdadit, me çfarë e sollën në pikëpyetje ekzistimin e shtetit.

Në tetor të vitit 2016 armata irakiane së bashku me formacionet paraushtarake shiite, forcat e kurdëve irakianë dhe luftëtarët fisnorë sunitë lokalë, me mbështetjen e koalicionit antixhihadist ndërkombëtar, filluan ofensivë kundër SHI-së, me të cilën deri në mes të verës i dëbuan xhihadistët nga pothuajse të gjitha vendbanimet në vend.