Ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pas numërimit të votave me kusht, ku kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës doli fitues me 14 vota përballë Gani Dreshajt të Aleancës. Sipas njoftimit të AAK’së, ky subjekt “e vlerëson të papranueshëm ndërrimin e rezultateve” nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

AAK bën me dije se do t’i ndërmarrë të gjitha masat ligjore, duke nisur me rinumërimin.

“Ju kujtojmë të gjithë akterëve të tavolinave politike se Istogu, nuk i takon me ”tapi” asnjë grupacioni politik, por qytetarëve të Istogut të cilët dy herë konfirmuan vullnetin e tyre për z. Dreshaj si kryetar komune,  dhe Aleanca do të kujdeset që ky vullnet të vihet në vend”, thuhet në reagim.

Më poshtë mund të lexoni të plotë njoftimin e AAK-së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i vlerëson tejet qesharake dhe të papranueshme veprimet e sotme të  të ndërrimit të rezultateve të zgjedhjeve në Komunën e Istogut nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor sipas dëshirave politike.

Për AAK-në, fitues i zgjedhjeve në Istog është z. Gani Dreshaj, i konfirmuar dy herë me votë të qytetarëve por i rrëzuar në tavolinat politike të KQZ-së dhe Gjykatave.

Në demokraci, vendimarrës janë qytetarët e jo veprimet e pamatura, jo serioze, e politike që shkaktojn zemërim tek qytetarët.

Në funksion të realizimit të vullnetit të qytetarëve të Istogut, AAK do të ndërmar të gjitha veprimet ligjore duke kërkuar rinumrim të të gjitha kutive të votimeve në komunën e Istogut dhe të vendos vullnetin e qytetarëve në vend.

Ju kujtojmë të gjithë akterëve të tavolinave politike se Istogu, nuk i takon me ”tapi” asnjë grupacioni politik, por qytetarëve të Istogut të cilët dy herë konfirmuan vullnetin e tyre për z. Dreshaj si kryetar komune,  dhe Aleanca do të kujdeset që ky vullnet të vihet në vend.

AAK, edhe njëher falënderon qytetarët e Istogut për përkrahjen dhe seriozitetin e treguar përgjat gjithë procesit të stërzgjatur zgjedhor në Istog”.