Episodi i rradhës i emisionit Inside në ZhurnalTv ka trajtuar problematikën e dhunës ndaj grave, çfarë po bëjnë institucionet në këtë drejtim dhe gjithë ato organet kompetente që dhuna të mos shpërndahet por ajo sa më shumë të ulet në mesin e shoqërisë. Dhuna ndaj grave, si formë e dhunës në familje, ndonëse në Maqedoni nuk është në përmasat e dekadave më parë, ajo vazhdon të mbetet fenomen shqetësues, të cilit i nevojitet qasje shumëdimensionale vlerësohet kështu mes shoqërisë.

Sipas të dhënave të policisë, çdo vit në Maqedoni raportohen me mijëra raste të dhunës në familje, prej të cilave rreth 95 për qind janë ndaj grave, ndërkohë që në një pjesë të madhe të njejtat raste nuk raportohen në organet kompetente për shkak të diskriminimit në shoqëri dhe frikës mos kuptojnë të tjerët.

“Një bashkëfshatarja ime bashkëshorti i saj ia ka bë varin në obor, djali e ka mbytur babain, para se të mbys babain, djali tre herë ka thirrur policinë e cila nuk ka ardhur”, kështu thekson një nga bashkëbisedueset e emisionit Inside.

“Nuk duhet të injorojmë kërcënimet e dhunës në familje sepse secila dhunë e rëndë paraprinë me kërcënim me jetë e madje edhe me vrasje, të mos e shpërfillin se ai nuk do e bëj sepse nuk mund të parashihet se një njeri cka është i gatshë të bëj dhe në këtë drejtim institucionet duhet që të jenë më syhapur ndaj këtyre rasteve dhe të mbrojnë gratë nga dhuna”, thekson kështu për Inside, Elena Dimushevska nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare.

Dhuna ndaj grave, ndonëse është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në botë, vazhdon të jetë më pak e vlerësuara. Dhuna është gjithashtu një problem i thellë shëndesor që ka pasoja vdekjen dhe plagosjen, cënon mirëqenien e grave dhe shkatërron dinjitetin dhe vetëvlerësimin e tyre. Tashmë dihet se dhuna në familje i kapërcen të gjitha kufijtë dhe është prezente në të gjitha kulturat. Studimet e kryera për dhunën në familje kanë vërtetuar se abuzimi ndaj grave është një problem kompleks dhe shumë dimensional. Shpjegimi për këtë duhet parë tek faktorët kulturorë, shoqërorë, familjarë dhe individualë, që ndikojnë në mundësitë që gratë të bëhen viktima të dhunës.

Për shumë gra, realiteti është krejt i ndryshëm nga ëndra e tyre për një martesë ideale. Rezultatet e studimit tregojnë se burrat e dhunshëm janë pró roleve dhe përgjegjësive tradicionale familjare. Bashkëshortët e dhunshëm rezulton se janë imponues në marrjen e vendimeve familjare, ndërkohë që për gratë duan që t’i mbajnë shtëpinë, të kujdesen për fëmijët dhe t’u binden atyre. Një burrë mund të reagojë në mënyrë të dhunshme nëse bindet që gruaja e tij nuk e kryen si duhet rolin e saj, apo i kalon kufijtë e të drejtave duke ndërhyrë në kompetencat e tij. Gratë supozohet se duhet të kënaqen me rolin e tyre si bashkëshorte dhe nëna, dhe të pranojnë se duhet të sakrifikojnë edhe jetën e tyre për hatër të martesës.