Të paktën 65 punonjës të medias në të gjithë botën janë vrarë në detyrë gjatë këtij viti raporton organizata për lirinë e medias, Reporters Without Borders (Reporterët pa kufij).

Mes viktimave, 50 ishin gazetarë profesionalistë ndërsa të tjerët qytetarë që raportonin dhe punonjës mediash. Pesë nga vendet më të rrezikshme kanë qenë Siria, Meksika, Afganistani, Iraku dhe Filipinet.

Nga të vrarët, 35 kanë humbur jetën në rajone ku konfliktet e armatosura vazhdojnë ndërsa 30 të tjerë jashtë zonave të tilla. 39 nga të vrarët janë vënë në shënjestër për punën e tyre si gazetarë si për shembull raportimi i korrupsionit politik apo krimit të organizuar ndërsa 26 të tjerë janë vrarë në punë e sipër si pasojë e sulmeve me bomba apo mortaja.

“Është alarmuese që kaq shumë gazetarë janë vrarë jashtë zonave të luftës. Në shumë vende, agresorët mund të dalin të paprekur nga sulmet mbi profesionistët e medias”, Katja Gloger, anëtare e bordit të “Reporters without borders”, përcjell TCh.

Organizata tha se më shumë se 300 punonjës të medias janë aktualisht në burg, me rreth gjysmën e tyre në pesë vende, konkretisht në Turqi, Kinë, Siri, Iran dhe Vietnam.