Xhelal Neziri -KDP

“Ne duam laps, të shkruajmë duam, nuk duam armë”.

Ishte kjo fjalia e cila u shndërrua në një moto të rezistencës paqësore të shqiptarëve etnik të Maqedonisë për mbrojtjen e së drejtës për arsim të lartë në gjuhën amtare.

Fjali e thënë nga drejtuesi i kësaj rezistence Fadil Sulejmani, gjatë një proteste për mbrojtjen e Universitetit të Tetovës (UT) të organizuar më vitin 1995 në fshatin Poroj, aty ku ishte vendosur fillimisht selia e këtij institucioni.

Universiteti i themeluar më 17 dhjetor të vitit 1994, në fakt, ishte i papranuar nga shteti i Maqedonisë andaj qeveria e atëhershme kishte dërguar policinë që të mbyllte këtë universitet. Ndërhyrja e policisë rezultoi me vrasjen e Abdylselam Eminit dhe me burgosjen e Suljemanit. Por, universiteti vazhdoi të funksionojë, edhe pse i palegalizuar.

Shteti e njohu njëmbëdhjetë vite më vonë, pra në vitin 2005. Pas një seance maratonike, u realizua marrëveshja për këtë universitet, edhe pse nuk ishte precizuar saktë në Marrëveshjen e Ohrit.

Paraprakisht, Sulejmani me shumë mund dhe presion ishte bindur të tërhiqet nga posti i rektorit. Për shkak të kokëfortësisë që e karakterizon tërë veprimtarinë e tij, largimi i Sulejmanit ishte një ndër kushtet kryesore për legalizimin e universitetit. Ai mbeti i padëshiruar për UT-në dhe jashtë institucionit që e themeloi edhe pas legalizimit.

Katër vite pas legalizimit, pra në vitin 2009, pranoi një intervistë në të cilën do të flasë për të gjitha betejat për dhe rreth universitetit, por e njëjta nuk u botua. U dakorduam që të flitet pa doreza dhe të thuhet e gjithë ajo që deri më tani, për arsye të ndryshme, ka ngelur e pathënë. Në atë kohë ishte pjesë e UT-së, por pa zyrë dhe pa statusin që e meritonte si themelues. Kjo e kishte prekur dhe e kishte zbutur Sulejmanin, i cili karakterizohej nga kokëfortësia. Pesëmbëdhjetë vite pas themelimit të universitetit ai vendosi të flasë hapur.

Takimin e lamë në restorantin e një hoteli në qendër të Tetovës. Erdhi pikërisht në kohën kur e kishim caktuar takimin. Nuk u vonua asnjë minutë. Ishte i lodhur nga jeta e përmbushur me beteja të fituara e të humbura, por nuk dorëzohej. I veshur me një kostum të përhimë, me këmishë të bardhë dhe kollare jeshile, Sulejmani dukej sikur të ishte përgatitur edhe për një betejë, atë të rikthimit të universitetit.

Derisa njëmbëdhjetë vite kishte kërkuar ta legalizojë, tani ai kërkonte ta nxjerrë nga kthetrat e shtetit. Pra, ta çlegalizojë nga shteti. Beteja e tij për çlegalizim në fakt është betejë për departizim. Që nga pavarësimi i Maqedonisë nuk është shënuar qartë kufiri midis shtetit dhe partisë.

Ishte një goditje që e kishte pranuar rëndë. Sulejmani ishte njëri ndër themeluesit dhe ideatorët e Universitetit të Tetovës. Bile, ai nuk deshi që ta quaj “një ndër themeluesit”“Dua të ndërhyj këtu pasi mundet se nuk keni njohuri të mjaftueshme për Universitetin e Tetovës. Dua të theksoj se unë jam ideatori, themeluesi dhe ndërtuesi i UT-së. Shpesh e dëgjoj formulimin njëri nga themeluesit, por unë të pyes: kush është ai tjetri?”.

I rikujtova se në aktin e themelimit të Universitetit nuk figuron vetëm emri i tij si nënshkrues i vetëm.

Mu përgjigj se aktin e themelimit e kanë nënshkruar mijëra intelektualë, profesorë e studentë“Është krejt diçka tjetër ta kesh barrën kryesore, ta themelosh dhe ta organizosh institucionin. Nënshkrimin e kanë nxjerrë edhe politikanët, të cilët më pas e harruan universitetin. Madje, punuan edhe për mbylljen e tij”.  

 

Sulejmani e kujton me nostalgji dhe mburrje kuvendin themelues. Atë ditë, kur në sallën e Kuvendit Komunal të Tetovësu mblodhën 116 njerëz të dijes, prej të cilëve më pak ishin të rangut universitar e më shumë njerëz me fakultete apo shkolla të larta.

“Në momentin kur e lexova referatin dhe thashë se jemi mbledhur që sot të themelojmë Universitetin e Tetovës, gjysma e tyre dolën jashtë duke e lëshuar kuvendin në mënyrë demonstrative. Gjysma e atyre që mbetën brenda u shprehën kundër Universitetit kurse pjesa tjetër heshti e nuk tha asgjë. Një numër i vogël e përkrahën iniciativën vetëm sa për ta provuar se çka mund të bëjmë”.

Ka pasur profesorë që kanë filluar të bëjnë shaka duke i thënë Sulejmanit se ky universitet nuk duhet ta niset me 6 fakultete por me një gjysmë.

“Filluan edhe tjerë të bëjnë shaka dhe unë pashë rrezikun se do ta prishin tërë këtë organizim. Fatmirësisht, të gjitha vendimet i kisha përgatitur para fillimit të kuvendit dhe të njëjtat i nënshkruan. Pas kësaj, unë dola dhe thashë se sot më 4 qershor të vitit 1994 u themelua Universiteti i Tetovës. Ata reaguan duke thënë se jo nuk është themeluar, por unë tashmë e bëra publik vendimin dhe u botua në gazetën Rilindja”.

Nga ky moment ai futet në listën e personave të rrezikshëm për shtetin që duhet survejuar dhe përpunuar. Strukturat shtetërore, të cilat në fakt ishin partiake, u vunë pas Sulejmanit që ta ndalin iniciativën. Ishte lëshuar edhe një urdhër-arresti, por nuk mund ta gjenin rektorin. Në atë kohë ai flinte në shtëpi të ndryshme, te miqtë dhe lëvizte tërë kohën. Nuk e dinin adresën që ta arrestonin.

Pas disa muajsh kërkime, Sulejmanin e hetojnë duke ecur në këmbë trotuareve të Tetovës. Pa shumë hamendje e marrin nga rruga dhe e dërgojnë në stacionin e policisë. Atje e kishin dërguar te zyrat e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), shërbim inteligjent që kishte dalë nga UDB-ja jugosllave. Kishte ndërruar vetëm emrin dhe nuk ishte reformuar në asnjë pikëpamje.

Dy inspektorët e DSK-së u paraqitën me një sjellje “miqësore” ndaj Sulejmanit.

I kishin thënë se nuk është vetëm shkencërisht dhe profesionalisht i mirë, por edhe politikisht. Ishin munduar ta bindin se nuk mund t’i ndihmojë popullit të tij me universitet, por me politikë. Njëri nga inspektorët ishte ulur afër Sulejmanit dhe me një zë prej dashamirësi i kishte pëshpëritur në vesh: “Ne e shohim se je i ri politikisht, i panjollosur dhe se dëshiron t’i ndihmosh popullit tënd, andaj kyçu në politikë. Për këtë ne do të ndihmojmë në çdo pikëpamje. Ti vetëm urdhëro e fol çfarë të nevojitet që fëmijët e fëmijëve tuaj të mos heqin keq. Jo vetëm ty, por të gjithëve do t’ua sigurojmë jetën, punën dhe të gjitha kushtet e jetesës. Mjafton që t’i të heqësh dorë prej universitetit dhe të futesh në politikë. Universitetin e bën shteti, e jo ti o Fadil”.

Pasi kishte dëgjuar ofertën e inspektorit, Sulejmani kokëfortë ishte përgjigjur: “Unë e di se shteti duhet ta bëjë universitetin sepse paguajmë tatime për këtë shtet”. Inspektori i dytë nuk kishte lejuar ta vazhdojë përgjigjen pasi kishte hetuar se nuk do ta pranonte ofertën.

“Do ta bëjmë ne kur të duam ne, e jo kur të thuash e si të duash ti”, i kishte thënë me nervozizëm dhe kishte dalë nga zyra.

“UDB-ja e Maqedonisë ishte e gatshme të më japë edhe të holla edhe mbështetje nga më të ndryshmet që unë të heq dorë nga universiteti dhe të futem në politikë, pra të formoj parti politike”, tha Sulejmani, duke lënë të kuptohet se kjo ofertë u ishte paraqitur edhe disa disidentëve tjerë gjatë historisë pluraliste të Maqedonisë.

Strukturat shtetërore kishin tentuar të ndalin edhe financimin e universitetit.

“Kishte edhe njerëz, biznesmenë shqiptarë, që premtonin se kur ta shohin studentin e parë që është ulur në karrige do të japin shuma të mëdha. Por, kur nisi universiteti biznesmenët tanë humbën nam pa nishan”, tha Sulejmani, duke vlerësuar se ky ka qenë një nga mashtrimet e mëdha, por njëkohësisht edhe mësim i mirë për të që të mos mbështetet në premtimet e biznesmenëve. “U detyrova t’i harxhoj të hollat e mia, afër 40 mijë marka, me të cilat punuam katër-pesë muaj. Më pas arritëm që me taksat e studentëve ta mbajmë universitetin”.

“Po paratë që mblidheshin nga qytetarët shqiptarë me moton “një markë në muaj për Universitetin”?”, e pyeta.

Pasi u ndal disa sekonda, Sulejmani u përgjigj: “Populli jonë, pikërisht për shkak të mungesës së arsimit që na e ndaluan të tjerët, fatkeqësisht nuk kishte vetëdije të ndihmojë këtë institucion. Por unë përherë kam thënë se populli na ndihmon me qëllim që ta nxitim të japin për universitetin. Ka pasur individë që kanë ndihmuar, por edhe ata është e mundur t’i numërojmë në gishta”.

Pasi nuk u arrit ndalimi i universitetit, në vitin 1995 policia intervenoi ashpër, me çrast u vra Abdulselam Emini.Paralajmërimi i dy inspektorëve të DSK-së ishte realizuar. Policia kishte intervenuar në ditën e parë të ligjëratave.Sulejmani me shpejtësi kishte thirrë një konferencë shtypi ku kishte thënë se nëse policia do ta sulmojë UT-në, mbi 200 mijë shqiptarë do ta mbrojnë. Kjo deklaratë u cilësua si ftesë për luftë me qëllim të rrënimit të rendit kushtetues të Maqedonisë. Për këtë ai vuajti edhe burgun.

“Tre muaj kam qenë në burgun e Shutkës që më pastaj të më transferojnë në Manastir që më në fund në burgun e Tetovës. Ka qenë një burg i vështirë. Derisa të tjerët kishin të drejtë të shkojnë për uikend në shtëpi, mua ma ndaluan. Gjatë tërë qëndrimit në burg nuk kanë reshtur fyerjet, maltretimet dhe kërcënimet nga më të ndryshme”, tha ai.

“Po faktori i jashtëm çfarë ju sugjeronte?”.

“Në atë kohë në Maqedoni sapo ishte hapur përfaqësia diplomatike e SHBA-ve në Shkup. Ambasador ishte Viktor Komras, i cili ishte i vetmi i huaj që më jepte përkrahje. E kam takuar disa herë ambasadorin në zyrën e tij, me ç’rast më tha hapur se arsimi është gjë e shenjtë dhe se ju duhet ta vazhdoni punën. Zoti Komras më thoshte se nëse mësoni në gjuhën tuaj ju nuk bëni asnjë krim, Maqedonisë i duhet që të gjithë qytetarët të jenë të arsimuar sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ketë progres. Kur shkova herën e tretë të zyrën e tij, më pyeti hapur: çfarë do që të bëj unë për ty? I thash se dua të ndikojë që të ndalet policia dhe mos të futet në mes të ligjëratave dhe t’i dëbojë studentët, t’i kërcënojë pronarët e shtëpive ku zhvillohej mësimi dhe të mos na pengojë. Iu luta që ta kontaktojë Gligorovin që mos të na dërgojë policinë të na pengojë. Më tha se kjo punë do kryhet tash. U ngrit në këmbë, e thirri shoferin e tij dhe u nis për të Gligorovi. Mua më tha të pres aty. E pritë një orë e gjysmë, dhe u kthye duke më thënë: policia më nuk do t’ju pengojë. Ky lajm më gëzoi shumë. Më pas vinte shpesh në Tetovë dhe takoheshim. Tri javë para se t’i mbarojë mandati më ftoi në zyrën e tij dhe më tha: ju si shqiptarë duhet të bëni çmos që ta ruani universitetin, kurse pushteti do bëjnë çmos që t’ua mbyllin këtë institucion. Ky ambasador ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm për mbijetesën e UT-së”.