Janë të paktë, e ndoshta edhe nuk ka hiç rast në Kosovë që një heroi t’i ngrihen përmendore e t’i thuren këngë për heroizmin e tij e të mos i dihet varri.

Ahmet Delia, nga Prekazi, i cili ndër shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, por edhe të trojeve të tjera shqiptare njihet për heroizmin e tij të madh, në kohën kur xhandarët serbë hynin lirshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve për të plaçkitur, për të torturuar e për të përdhunuar nuk ka varr.

Por eshtrat e Ahmet Delisë dihet se ku prehen, hiç më larg se tri kilometra nga kulla e tij në Tërnafc.

Por as para luftës së fundit e as pas luftës për të gjurmuar për mbetjet mortore të Ahmet Delisë nuk janë përkujdesur as familja e tij e as institucionet e shtetit të Kosovës.

Disa nga banorët e Tërnafcit, një fshat fqinj me Prekazin, kanë thënë se dihet qëmoti ku ndodhen eshtrat e heroit Ahmet Delia, shkruan Gazeta Zeri.

Sipas tyre, trupi i Ahmet Delisë është varrosur në fshehtësi në Tërnafc, skaj një rruge, e cila tanimë nuk ekziston.

Terreni ka ndryshuar shumë, rreth atij vendi janë ndërtuar shtëpi, por pjesa ku supozohet se ndodhen mbetjet mortore të Ahmet Delisë nuk janë prekur..