Ministritë e kabinetit qeveritar të Kosovës veçse kanë filluar t’i bëjnë një rekapitullim punës së tyre për 100 ditët e para në qeverinë Haradinaj. Qeveria Haradinaj përbëhet nga 21 ministri të cilat janë produkt i një koalicioni të gjërë qeverisës i cili doli pas zgjedhjeve të 11 qershorit të këtij viti.

Një emër i panjohur për opinionin publik, Flamur Sefaj nga AKR, u konsiderua befasia më e madhe e kabinetit të ri qeveritar të Kosovës, i cili u zgjodh ta drejtojë njërin prej dikastereve më të rëndësishëm në vend, Ministrinë e Punëve të Brendshme. I diplomuar për ekonomi dhe me një Master të përfunduar në Shkencat e Komunikimit korporativ në një shtet si Zvicra, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, shumë shpejt do të behët një nga ministrat e dalluar të kabinetit Haradinaj.

Pa zhurmë, por me vendime konkrete, ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj, filloi t’i jetësoi disa nga prioritet e tij të cilat i kishte premtuar qysh në ardhje në krye të këtij dikasteri sa të rëndësishëm aq edhe kompleks. Ministri Sefaj shumë shpejt do të krijojë kontakte direkte me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë si Interpol dhe Eruopol, ku gjatë një konference ministrore të projektit rajonal të Bashkimit Evropian që kishte të bënte me ‘Luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në drejtësinë penale’ e cila u mbajt në Trieste të Italisë ai kishte theksuar se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje pune me EUROPOL, ishin prioritetet kryesore të ministrisë që drejton, por edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Rezultatet ishin konkrete, pa kaluar dy muaj nga pjesëmarrja në këtë konferencë, një delegacionin i nivelit të lartë të BE-së, i udhëhequr nga Pedro Serrano, zëvendëssekretar i Përgjithshëm për politikat e përbashkëta të sigurisë, ku ishte prezentë edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova, ministrit Sefaj iu kumtua lajmi se Europol e ka vendosur Kosovën në listën prioritare nga shtetet anëtare me të cilat ky institucion i rëndësishëm i Sigurisë do të lidhë Marrëveshje pune.

Fal aftësisë së tij menaxhuese dhe raporteve konstruktive të krijuara me zyrtarët e EULEX-it, këta të fundit i dhuruan MPB-së 33 vetura të tipit Nissan Patroll, në vlerë prej 300 mijë euro, të cilat ministri Sefaj ia shpërndau agjencive të ministrisë që drejton, pa anashkaluar tri komunat veriore të Kosovës të cilat u pajisën më nga një veturë të cilat do t’u ndihmojnë zyrtarëve të departamenteve për zjarrëfikje në përballimin e sfidave me të cilat ballafaqohen ata sa i përket aspektit të menaxhimit të emergjencave.

Roli i ministrit të Brendshëm ishte i pakontestueshëm edhe me rastin e lansimit të projektit të binjakëzimit të BE-së; “Mbështetja e regjistrimit civil dhe siguria e dokumenteve”, i cili synon ngritjen e cilësisë së ARC-së, i financuar nga Bashkimi Europian, projekt i cili do të ndihmojë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe në procesin e integrimit evropian.

Së bashku me homologun e tij maqedonas Oliver Spasovski, ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës do të nënshkruajë Marrëveshje për marrje të personave me qëndrim të paligjshëm që ka të bëjë me krizën e refugjatëve, rregullimin e marrjes së shtetësive nga të dy vendet, si dhe protokollin e përbashkët ndërmjet ministrive të Brendshme për përndjekje tejkufitare të njerëzve të cilët marrin pjesë në aktivitete kriminale të cilët kërkojnë strehim në të dy shtetet.

Në ngjarjen të cilën e organizoi UNDP me temën: “Rasti i Kosovës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”, e cila u mbajt në Bruksel në fillim të këtij muaji, ministri Sefaj kishte theksuar se shteti i Kosovës është aleat i fuqishëm i koalicionit global kundër terrorizmit, dhe kjo sipas tij ka bërë të nevojshme që Republika e Kosovës të hartoj ligje dhe strategji përmes të cilave do të dënoheshin pjesëmarrësit nga Kosova në luftëra të huaja dhe gjithashtu do të koordinohen masat në forcimin e qëndrueshmërisë së shtetit dhe shoqërisë ndaj kërcënimeve që vijnë nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Duke e marr parasysh faktin se numri i viktimave në aksidente rrugore në vend është mjaft shqetësues, ministri i Brendshëm, kishte deklaruar se prioritet i tij do të jetë siguria në trafik, ulja e aksidenteve në komunikacionin rrugor.

Ditë më parë ai ka marr vendimin për regjistrimin e të gjitha llojeve të automjeteve, pa paguar gjobë, vendim i cili tashmë ka hy në fuqi, e i cili do t’u krijojë lehtësira qytetarëve të cilët si pasojë e gjobave të grumbulluara nuk kanë mundur t’i regjistrojnë automjetet e tyre.

Sigurisht se ky vendim në mënyrë indirekte do të ndikojë edhe në ngritjen e sigurisë në komunikacion. Po ashtu, përmirësimi i sinjalistikës nëpër rrugët e Kosovës dhe pajisja e PK-së me mjete të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në trafik, është hapi tjetër i cili do të ndërmerret, dhe e gjithë kjo do të ndikojë në rënien e aksidenteve në komunikacion.

Përveç tjerash, ndër prioritete e ministrit të Brendshëm do të jetë edhe miratimi i projektligjit për pensionimin e pjesëtarëve të Policisë, i cili konsiderohet mjaft i favorshëm. Edhe pse këtë projektligj e ka bllokuar FMN-ja, pasi sipas tyre ka kosto të lartë, ministri Sefaj beson se ligjvënësit kosovarë do ta ndihmojnë atë në miratimin e këtij projektligji i cili parasheh që 2 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës brenda tri viteve të dalin në pension.