Qeveria e Kosovës dhe kompania Countur Global, kanë nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Në ceremoninë e nënshkrimit kanë marrë pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie dhe përfaqësues i kompanisë Countur Global Joseph Brandt.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është historike, pasi që pas 16 vitesh po arrihet rezultati kulminant për TC Kosova e Re.

Për më tepër, ai ka theksuar se investimet e huaja nxisin krijimin e vendeve të reja të punës, ndërsa investimi për TC Kosova e Re do të krijojë mbi dhjetë mijë vende të reja të punës.

Sipas tij, termocentrali Kosova e re do të garantojë pavarësi nga çmimet e energjisë rajonale dhe do të krijohen kapacitete të reja krijuese të energjisë së ripërtërirë.

Gregory Delawie, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka uruar për arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke thënë se kjo është një ditë e madhe për stabilitetin e energjisë së Kosovës, pasi TC Kosova e Re siguron stabilitetin me furnizimin me energji elektrike.

Kryetarit i Kuvendit Kadri Veseli tha se me këtë projekt, Kosova po ec përpara,  do të ketë zhvillim ekonomik,  fuqizim të shtetit dhe reforma,  për të ecur në integrimet euroatlantike.  Veseli po ashtu ftoi investitorët e huaj, që të vijnë të investojnë në Kosovë, pasi që sipas tij Kosova është një vend i sigurt.

Ndërkaq kryeministri Ramush Haradinaj ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në nënshkrimin e ceremonisë.

Drejtor i kompanisë Countur Global, Joseph Brandt tha se është koha e duhur që ky projekt të jetësohet. Ai është shprehur se mezi po pret që të inaugurohet ky projekt. Ndërsa që nuk ka harruar ta falënderojë ministrin aktual Valdrin Lluka, dhe ministrat paraprakë Blerand Stavileci dhe Fadil Ismajli./KosovaPress/