Botërori i Peshëngritjes i zhvilluar në Kaliforni regjistroi suksesin e shqiptares Romela Begaj, e cila fitoi medaljen e artë

Sportistja kuqezi, Romela Begaj u shpall kampione bote në stilin e shkëputjes si dhe doli nënkampione e botës në dygarësh, rezultate të cilat Begaj premtoi t’i replikojë.

“Ky ishte fillimi, synoj te tjera medalje, medalja olimpike ende larg”, tha Romela Begaj, kampione e botës, peshëngritje.

Jo rrallëherë sportistët shqiptarë janë detyruar të kthejnë medaljet për shkak të rezultimit pozitiv me doping. Romela Begaj e provoi në kurriz të saj pas botërorit të Kazakistanit në 2014, por si ajo si presidenti i Federatës, siguruan se medaljet e saj në SHBA, janë të pastra.

“Rimarrja e titullit kampion bote, atë që ja mohuan para 3 vjetësh, vajzës së sakrificave, Romela Begaj. Një Shqipëri e vogël dominoi në Amerikë duke shpallur këtë brilant kampione”, shprehet Elez Gjoza, President i FSHP, shkruan Top Channel.

Botërori i peshëngritjes në Anaheim të Kalifornisë, regjistroi paraqitje të mira nga Erkand Qerimaj, Briken Calja, dhe Romela Begaj, por vetëm kjo e fundit arriti të marrë medalje.