Dy prokurorë dhe një gjyqtar janë suspenduar nga puna gjatë vitit 2017. Derisa, edhe pak ditë përfundon ky vit, 8 raste tjera të gjyqtarëve dhe 2 për prokurorë janë ende në procedurë hetimi nga Zyra e Prokurorit Disiplinor

467 është numri i ankesave që ka pranuar Zyra e Prokurorit Disiplinore, për sjellje të pahijshme dhe shkelje të kryera nga gjyqtarë dhe prokurorë në vend, gjatë periudhës janar-dhjetor 2017.

310 prej tyre janë për gjyqtarë, ndërsa 157 për prokurorë, ndërsa prej tyre vetëm 20 prej tyre i janë nënshtruar hetimit disiplinor pasi është gjetur bazë.

Mbi 100 prej këtyre ankesave, ZPD’ja ka konfirmuar se janë bartur nga viti i kaluar. Shumica prej tyre kanë qenë për gjyqtarë.

“ZPD pasi ka pranuar parashtresat fillimisht i ka analizuar dhe ka siguruar informatat relevante. Prej tyre 280 janë refuzuar pas një hetimi preliminar – parashtresa këto kundër gjyqtarëve. Kurse në të njëjtën periudhë raportuese ZPD’ja ka refuzuar edhe 140 parashtresa ndaj prokurorëve”, thotë për Gazetën Express Zef Përndrecaj, drejtues i kësaj zyre.

Ai tregon se ZPD’ja gjatë vitit 2017 ka hapur 14 hetime disiplinore ndaj gjyqtarëve, ndërsa 6 për prokurorë. Tre prej të cilave raste kanë përfunduar me suspendim nga këshillat përkatëse, ai Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës.

“Nga 1 janari deri më sot, ZPD i ka rekomanduar hapjen e procedurës disiplinore në Komisione Disiplinore të Këshillit të Gjyqësorit të Kosovës për 10 raste ndaj gjyqtarëve – një rast ka mund të ketë më shumë se një gjyqtarë të përfshirë – kurse në Komisionin Disiplinorë të Këshillit Prokurorial kemi dorëzuar 6 raste ku janë gjetur sjellje të pa hijshme në kryerjen e detyrës. Për dy raste tjera hetimet janë në fazën përfundimtare dhe pritën të dërgohen në komisionet përkatëse”, ka sqaruar Përndrecaj.

“Këtë vit janë suspenduar dy prokurorë dhe një gjyqtar, pas rekomandimeve të ZPD’së”, ka treguar tutje për Express drejtuesi i Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

Tutje, sipas të dhënave të kësaj zyre, 10 raste janë ende në hetim, 8 prej tyre ndaj gjyqtarëve ndërsa 2 për prokurorë.

Natyra e parashtesave, bëhet e ditur, se kanë qenë ankesa për neglizhencë, konflikt i mundshëm i interesit, mos kryerja e funksionit të gjyqësor apo prokurorial në mënyrë të pavarur dhe të një anshme, sjellje jo të mira më palët gjatë procedurave, sjellje jo të mirë jashtë funksionit, etj.

ZPD’ja gjithashtu ka bërë të ditur se gjatë këtij viti pas hetimeve ka mbyllur katër raste të hapura ndaj gjyqtarëve dhe një ndaj një prokurori, pasi nuk është konstatuar shkelje apo sjellje të pahijshme gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.