Kombëtarja e Spanjës rrezikon largimin nga Kupa e Botës.

Spanja rrezikon përjashtimin nga Kupa e Botës që mbahet vitin tjetër në Rusi.

Ky lajm është raportuar në mediat spanjolle, sipas të cilave në Federatën e Futbollit të Spanjës ka mbërritur një dokument nga FIFA, ku shkruhet se ndërhyrjet e qeverisë mund të çojnë në këtë vendim ekstrem, pra në përjashtimit e futbollit spanjoll nga të gjitha kompeticionet ndërkombëtare.

Gjithçka lidhet rreth emrit të Angel Maria Villar, president i federatës, i arrestuar gjatë muajit korrik me akuzën e përvetësimit të paligjshëm të fondeve dhe falsifikim të dokumenteve.

FIFA ndërkohë në komunikimin me federatën spanjolle, kërcënon qeverinë e këtij vendi se me këto akuza po mundohet që vetëm ta largojë Villarin.

Paralajmërimi i FIFA-s lindi pas propozimit të Këshillit Superior të Sportit në Spanjë për të përsëritur zgjedhjet për president të Federatës Spanjolle të Futbollit, që u mbajtën majin e kaluar dhe që u fituan nga Villar.

Ndërhyrja e qeverisë, sipas FIFA-s, konsiderohet dhunim i pavarësisë së Federatës së Futbollit. Për motive të njëjta, Federata Spanjolle e Futbollit rrezikoi të përjashtohej edhe në prag të Euro 2008, turne që u fitua pikërisht nga spanjollët.