Ministri i FSK-së Rrustem Berisha ka pritur në takim zëvendës-ndihmës Sekretaren e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, Laura Cooper. Kjo e fundit, gjatë takimit, ka përkujtuar edhe njëherë qëndrimin e Amerikës lidhur me transformimin e FSK’së në ushtri.

Zëvendës-ndihmës sekretarja amerikane e Mbrojtjes, Laura Cooper, gjatë vizitës së saj në Kosovë ka takuar dje presidentin Hashim Thaçi, ndërsa sot pritet ta takojë kryeministrin Ramush Haradinaj. Para kësaj, ajo u prit nga ministri i FSK’së, me të cilin ndër të tjera, folën për transformimin e forcave të sigurisë në ushtri.

Sipas një njoftimi të MFSK’së Ministri Berisha e ka njoftuar zyrtaren e lartë nga SHBA-ja, me aktivitetet aktuale, planet e zhvillimit, sfidat si dhe procesin e zhvillimit dhe aktiviteteve konkrete për  transformim e FSK-së në FAK.

Cooper tha se ndihet e kënaqur kur dëgjon edhe vet për arritjet dhe sukseset e FSK-së, por thotë se për krijimin e ushtrisë së Kosovës, duhet biseduar me minoritetet.

“Më vjen mirë që kemi vizion të ngjashëm me ju për të ardhmen e Kosovës, po ashtu është edhe detyra e jona të ndihmojmë në realizimin e këtyre objektivave. Me rëndësi që të merret angazhimi i të gjithë faktorëve të rëndësishëm për këto ndryshime, e në këtë rast edhe i komunitetit jo shumicë” citohet Cooper nga MFSK’ja.