Një koalicion tjetër mes konservatorëve të kancelares Angela Merkel dhe social-demokratëve të SPD-së, përbën një mundësi të mirë për Gjermaninë, deklaroi sot Horst Seehofer, drejtuesi i CSU-së, aleati bavarez i CDU-së së Merkelit.

Dy muaj pas zgjedhjeve dhe pavarësisht dështimit të fundit të përpjekjeve me liberalët e FDP-së dhe të Gjelbërve, Angela Merkel është e vendosur për formuar një qeveri sa më shpejt, për shmangien e zgjedhjeve të parakoshme me rrezik të lartë.

“Një aleancë mes konservatorëve dhe SPD-së është mundësia më e mirë për Gjermaninë, më e mirë në çdo aspekt se “koalicioni xhamajkan”, zgjedhjet e reja apo një qeveri minoritare”, shtoi Seehofer në një deklaratë për “Bild am Sonntag”.

Projekti i dështuar i koalicionit CDU/CSU, FDP, të Gjelbërit u quajt “koalicioni xhamajkan”, për shkak të ngjyrave të këtyre partive, përcjell Atsh.

Merkel përmendi dje diskutime me SPD në bazë të respektit të përbashkët dhe me nevojën për të arritur një kompromis.