Të nderuar qytetarë, pasi që përfundoi procesi i votimit, jemi tash këtu që të japim vlerësimin tonë për këtë ditë zgjedhore në Komunën në Çairit.

Në fillim dua t’ia uroj LSDM-së fitoren e Komunës së Çairit. Natyrisht, fitore e vjedhur, por nëse ata e quajnë fitore dhe e pranojnë për të tillë, ne ua urojmë.

Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ata qytetarë që morën guxim dhe, përkundër presioneve dhe zhvatjeve, sot dolën të votojnë. Së dyti, më vjen keq për ata që qytetarë që sot u burgosën me burg shtëpiak nga vagabondët e partive në pushtet dhe nga zyrtarë të policisë, që abuzuan me detyrën zyrtare dhe nuk i lejuan qytetarët të dalin të votojnë.

Për neve këto zgjedhje në Komunën  e Çairit e shpërfaqën në mënyrën më të saktë fytyrën e këtij pushteti, që në emër të modelit qytetar, afirmon kriminelët dhe injorantët, ndërsa me të dyja këmbët shkel mbi demokracinë dhe të drejtën themelore e njerëzore për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur.

Në fakt, ne e dinim mirëfilli se anulimi i këtij vendvotimi bëhet vetëm për t’i legjitimuar zgjedhjet e manipuluara. Qëkur nuk u pranuan të hapet kutitë dhe të shihet si u bë që të kemi 1.000 fletëvotime të pavlefshme, rezultati dihej. Ata deshën që, përmes kësaj kutie, t’i legjitimojnë 85 kutitë e tjera të manipuluara. Por, këtë mund t’ua shesin dikujt tjetër e jo neve. Për neve këto janë zgjedhje jolegjitime, të manipuluara dhe pa asnjë standard demokratik. Derisa nuk hapen kutitë dhe të bëhet ekspertizë në fletëvotimet e pavlefshme, kjo do të mbetet kështu.

Sot të gjithë qytetarët e Çairit e dinë se kush është fitues real në Çair dhe këtë e dinë madje edhe vetë ata që i kanë numrat, por edhe turpin e atyre numrave. Prandaj, me këtë rast unë dua t’i përcjell 13 mijë e më shumë falënderime për të gjithë ata qytetarë të Çairit, që pa asnjë interes, por të shtyrë vetëm nga vullneti i lirë dhe bindja e tyre, na kanë mbështetur në këtë garë. Përkundër asaj se sot në Çair e kanë nëpërkëmbur sistemin e vlerave dhe moralin e njerëzve, heronjtë e kësaj fitore janë pikërisht këta 13.641 qytetarë që na votuan dhe për shkak të tyre ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në rrëzimin e këtij regjimit. Ju faleminderit të gjithëve. Hfala vam puno. Teshekurler. Vi blagodaram.

Prej sot kandidati i LSDM-së është uzurpatori i institucionit të Komunës së Çairit. Nëse uzurpatorët që i ka përreth e kanë mendjen vetëm te pullat ndërtimore, ai është uzurpatori i krejt institucionit të Komunës. Nëse atij dhe kryetarit të tij, pra Kryeministrit, nuk u pengon të jenë të këtillë në Çair, atëherë e mbajtshin me shëndet këtë fitore!

Beteja jonë për drejtësi, demokraci dhe mirëqenie vazhdon!

 

https://www.youtube.com/watch?v=oOXKd6SjNSQ&feature=youtu.be