Për shumicën e kolumbianëve, ish-shefi i rebelëve Rodrigo Londono, i njohur më mirë me nofkën e luftës Timoshenko, është një person që ka kryer rrëmbime dhe sulme me bomba, jo zgjedhje dhe fushata elektorale.

Prandaj lajmërimi se lideri i forcave të armatosura revolucionare të Kolumbisë tashmë të çmobilizuara, do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, ka zemëruar vërtetë shumë njerëz në Kolumbi. Lajmi u bë nga zyrtarë të partisë FARC, e cila ka ende siglën e forcave rebele, të cilët në një konferencë për shtyp thanë se Timoshenko do të marrë pjesë në zgjedhje.

Menjëherë pas këtij lajmi, shumë njerëz reaguan në mediat sociale duke shprehur zemërimin e tyre. Çdo votë për Timoshenkon është një fyerje për viktimat-shkruan një përdorues i Twitter-it. Sfida e parë e ish rebelit do të jetë të bindë elektoratin dyshues se ai e ka lënë të kaluarën e dhunshme pas vetes.

Hyrja e Londono-s në politikë është pjesë thelbësore e paktit të paqes të firmosur nëntorin e shkuar me qeverinë kolumbiane dhe që i dha fund 52 viteve konflikti që rezultoi me 220 000 viktima.

Pakti parashikon edhe 10 vende të sigurta në kongres për rebelët për dy cikle elektorale. Pavarësisht rrënjave marksiste të partisë, ish rebelët që tashmë janë zyrtarë të saj, thanë se ata nuk duan të ndryshojnë modelin ekonomik të vendit, por ta përmirësojnë duke e bërë gjithëpërfshirës.

Këto fjalë nuk kanë qetësuar aspak elektoratin që i sheh rebelët me mjaft dyshim, ndërsa një pjesë e analistëve mendojnë se zgjedhjet do të jenë mundësia e popullit për t’i thënë jo përfundimisht ish rebelëve në politikë.