Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka dalë sot në konferencë për shtyp në kuadër të ndeshjes së radhës përballë Bylisit në Kategorinë e Parë.

Trajneri brazilian i ka cilësuar ballshiotët si skuadër më e fortë se të tjerat dhe ka treguar se ka kuptuar që Tirana urrehet në Shqipëri nga kundërshtarët.

Kjo është një ndeshje e rëndësishme për objektivin që kemi. Shpresojmë të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. E kam thënë që kundërshtari më i rëndësishëm është ai që kemi përballë dhe kësaj radhe është Bylis. Është një skuadër e fortë që luan futboll të bukur, gjendet në vendin e dytë dhe ka shënuar shumë gola. Nëse fitojmë shkojmë 9 pikë larg dhe kjo na ndihmon shumë, sepse pikët do të përgjysmohen në përfundim të fazës së dytë”, tha Ze Maria.

Çdo ditë e kaluar në Shqipëri sjell diçka të re për Ze Marian. Trajneri personalisht është ende në proces përmirësimi ashtu si dhe skuadra ndaj të cilës kërkon diçka shumë të rëndësishme, sakrificë.

Sot i kam mësuar lojtarëve se çfarë do të thotë sakrificë. Gjatë javës kemi punuar shumë në këtë aspekt pasi duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin të përmirësohet. Kemi shumë potencial dhe mund të përmirësohemi më tej, pasi i njoh futbollistët që kam në dispozicion dhe kualitetin që ata kanë. Unë jam ende në proçes mësimi për vendin tuaj edhe pse jam i ngarkuar me punën time. Kam mësuar që skuadrën e Tiranës e dashurojnë po aq shumë sa e urrejnë dhe këtë e kam parë në agresivitetin që tregojnë kundërshtarët ndaj nesh. Por ky është një stimul për ne që të japim më të mirën, deklaroi trajneri brazilian i bardhebluve.