Në 10 dhjetor 2010, dy ditë pas festimeve të 8 dhjetorit, Sali Berisha në një intervistë me Belndi Feziun në TV Klan iu përgjigj disa pyetjeve për të kaluarën e tij dhe ndër të tjera është zhvilluar edhe dialogu i mëposhtëm:

B.Fevziu: Po ju në atë kohë keni qenë Sekretar Partie dhe vazhduat të jeni deri në vitet 1990, apo jo zoti Berisha?

S.Berisha: Sekretar Partie kam qenë gjithsej absolutisht jo më shumë se 3-5 muaj, me sa mbaj mend.

Në cilin vit?

Në vitin 1978 nga fundi dhe fillimi i vitit 1979. Detyrë nga e cila më shkarkuan në mungesë.

Është thënë se keni qenë deri në vitin 1990 Sekretar Partie?

Absolutisht jo. Kjo është një gënjeshtër. Janë thënë shumë gjëra, se kam qenë shumë vite, se kam kuruar Enver Hoxhën…

Po në fakt, keni qenë apo jo pjesë e grupit që kuronin drejtuesit komunistë të kohës?

Unë kam qenë çdo ditë dhe çdo vit, pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Nuk kam qenë, asnjë ditë, mjek i emëruar në klinikën e udhëheqjes. Kam qenë konsulent për të gjitha kategoritë e njerëzve, përveç Enver Hoxhës, duke përfshirë nga të burgosurit, politikë apo ordinerë në spitalin e burgut kur kishte nevojë, deri tek anëtarët e byrosë politike. Dua të theksoj se nuk kam qenë mjek i emëruar i byrosë politike sepse nuk kam pranuar.

Nuk keni pranuar, apo nuk ju është ofruar?

Nuk kam pranuar.

Për se nuk keni pranuar?

Nuk kam pranuar, sepse unë kam dashur shumë profesionin e mjekut dhe ajo ishte një transformim tjetër. Unë kisha shokët e mi, të cilët punonin aty dhe ata në disa aspekte humbisnin shumë.

Ju është ofruar të ishit mjek në klinikën speciale apo mjek personal i EnverHoxhës?

Nuk më është ofruar kurrë të jem mjek personal i Enver Hoxhës, nuk më është kërkuar kurrë që të vizitoj Enver Hoxhën dhe as të kontribuoj në problematikën e tij shëndetësore. Ka pasur kritere shumë strikte Enver Hoxha në ata që përzgjidhte, dhe unë nuk përfshihesha, nuk plotësoja kriteret.

Çfarë kriteri nuk plotësonit?

Kriteret që më pengonin, ishin komplekse në fakt. Kishin të bënin me disa standarde të tij në lidhje me jashtë, ose me pozicionin gjeografik të shtëpisë sime, në Tropojë. Por unë kisha miq, pothuajse të gjithë ekipin që e trajtonte atë. Pra unë refuzova që të isha mjek në organikën e tij speciale. Nuk pësova asgjë ç’është e vërteta, bëra shpjegimet e mia se nuk dua pasi jam shumë i lidhur me shërbimin tim në spital…

Lidhur me këto pohime, DITA ka pyetur dy mjekë të vjetër të asaj kohe deh një pjesëtar të ish-familjeve të Bllokut shumë afër me ngjarjet që përshkruhen në copën e mësipërme të intervistës.

Kërkojmë mirëkuptimin e lexuesve për të mos i përmendur emrat e atyre që pyetëm, sepse kjo ishte një kërkesë strikte e tyre. E vërteta sipas këtyre burimeve është tjetër:

Jo vetëm që nuk i është kërkuar ndonjëherë të bëhet pjesë e mjekëve të Hoxhës, por mjeku Berisha ka këmbëngulur vetë për një kohë shumë të gjatë me mjete dhe ndërhyrje të shumta për të qenë në grupin e mjekëve të Enver Hoxhës.

Personi që ka lobuar më fort për të pranë familjes Hoxha atë kohë ka qenë mjeku I.K.

“I.K. bëri përpjekje të mëdha, thoshte se ai kishte dëshirë të jashtëzakonshme dhe ishte mjek shumë i mirë. U mendua që të shqyrtohej dhe u kërkua siç ishte rregulli një biografi e këtij personi, Berishës. Mirëpo mes dokumentave ishte një kompromentues që fliste për disa lidhje të familjes së të shoqes Liri Berishës me segmente dhe situata që nuk kalonin dot. Nexhmije Hoxha vuri veton, tha në asnjë mënyrë, ky, me këtë problem që ka e shoqja. Nexhmije Hoxha me sa di unë e ka përmendur vetëm një herë këtë gjë në një intervistë në një revistë kur sapo kishte dalë nga burgu. Por e vërteta kjo është, e shoqja kishte probleme që si dje si sot, janë probleme për një pozicion të atillë, të mos flasim për post qendror në krye të shtetit…”.

Po të lexosh me kujdes intervistën e sipërcituar të Berishës, ai me shumë dinakëri i lë vetes një shteg në këtë pikë. Lexoni çfarë thotë: “Kriteret që më pengonin, ishin komplekse në fakt. Kishin të bënin me disa standarde të tij në lidhje me jashtë, ose me pozicionin gjeografik të shtëpisë sime, në Tropoj녔.

Çdo të thotë “disa standarde të tij në lidhje me jashtë”? Burimi ynë sqaron që megjithë refuzimin, mjeku Berisha nuk u dorëzua.

“Nëpërmjet I.K. vijoi të transmetohej këmbëngulja dhe ai vazhdonte të gjente mënyra të tërthorta për të qenë përherë pranë grupit të mjekëve”.

Në këtë pikë burimi ynë sqaron dhe historinë e fotove të famshme të bëra në Pogradec ku Berisha shfaqet në një varkë dhe pranë një oxhaku me fëmijët e EnverHoxhës dhe të tjerë.

“Ishte koha që Hoxha rrinte gjatë në Pogradec, i pëlqente atje. Berisha ruante rastin, nëpërmjet ndihmës së I.K. vinte aty, si duket priste një rast të artë të bëhej i dobishëm, që të tejkaloheshin kundërshtimet, nuk e di… Por vinte. Ishte i ngjitur sa nuk e imagjinoni dot. Zuri miqësi nëpërmjet I.K. me çiftin e ri Hoxha të fëmijëve të Enverit, I.K. e ndihmonte, pikërisht gjatë këtyre përpjekjeve janë bërë dhe ato fotografitë që kanë dalë në media…”.

Në librin me kujtime “Jeta ime me Enverin”, Vëllimi II, faqe 331, Nexhmije Hoxha shkruan për një propozim të Hysni Kapos për mjekët e rinj të Hoxhës:

“Në listën që më tregoi Hysni Kapo ishte edhe Sali Berisha. Për çdonjërin kishte disa radhë me të dhëna biografike. Kur lexova që Sali Berisha kishte vjehrën serbe, ish- partizane, por në shërbim të UDB-së, unë në moment thashë: Larg nga lidhjet me serbët, aq më shumë me UDB-në”.