Ushtria e Zimbabvesë ka vendosur presidentin Robert Mugabe nën arrest shtëpiak në kryeqytetin Harare.

Lajmi është bërë i ditur nga Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, i cili kishte folur në telefon me liderin e arrestuar, për t’u siguruar që është shëndoshë e mirë.

Trupat po patrullojnë kryeqytetin pasi morën nën kontroll televizionin shtetëror dhe thanë se kishin kapur politikanët e lidhur me krimin.

Ne po i drejtohemi vetëm kriminelëve që po shkaktojnë vuajtje sociale dhe ekonomike në vend. Sapo të kemi përmbushur misionin tonë, ne presim që situata të kthehet në normalitet”, theksoi ushtria.

Ky veprim mund të jetë një përpjekje për të zëvendësuar zotin Mugabe me zëvendëspresidentin e shkarkuar, Emmerson Mnangagwa, thonë korrespondentët e BBC-së.

Shkarkimi i Mnangagwa javën e kaluar parashikonte gruan e Mugabe, Grace, si pasardhësen e mundshme të presidentit.

Armë zjarri dhe artileritë e rënda kanë pushtuar pjesën veriore të vendit duke filluar që nga dita e djeshme.

Zoti Mugabe, 93 vjeç, ka dominuar skenën politike të vendit të varfër qëkur fitoi pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1980.

Ushtria mori kontrollin e godinave kryesore në vend dhe shpërndau një mesazh përmes televizionit. Ky është një zhgënjim i madh për gruan e Mugabes, pasi 52-vjeçarja ishte planifikuar që të zëvendësonte bashkëshortin 93-vjeçar në krye të vendit.

SHBA ka paralajmëruar qytetarët e saj që të qëndrojnë brenda, ndërsa rrugët e vendit po patrullohen nga makina të blinduara ushtarake.