Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se Maqedonia duhet të jetë e gatshme për hap përpara për çështjen e emrit, duke vlerësuar se ka gjasa më të mëdha se më parë për t’u gjetur zgjidhje me Greqinë.

“Me Republikën e Greqisë kemi gjasa më të mëdha se më herët për të gjetur zgjidhje. Pres që deri në fund të këtij muaji të fillojnë të lëvizin gjërat, së paku të ndërmjetësve me Nimicin. Qëndroj në dispozicion edhe për nivelin kryeministror, ministri i Punëve të Jashtme është i gatshëm, tashmë kemi biseduar me presidentin e vendit. Sa i përket kësaj çështje, Maqedonia duhet të jetë e gatshme për një hap, përpara përfundimisht për zgjidhje të kësaj çështje”, tha Zaev, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas prezantimit të Propozim-buxhetit për vitin 2018 në Qeveri.

Shpresoj, plotësoi, se opozita gjithashtu do të jetë e kyçur maksimalisht, jo për bllokada të reja, jo për shtyrje të reja, por në funksion që të bëjmë gjithçka për të gjetur zgjidhje për këtë problem të hidhur i cili është freri i RM-së dhe për proceset e saja integruese.

I pyetur për idenë për riemërimin e Aeroportit të Shkupit në “Kiro Gligorov”, tha se si ide fillestare i pëlqen, por se ai është vetëm njëri nga qytetarët dhe dëshiron t’i dëgjojë ata.

“Fillimisht më pëlqen ideja. Dëshiroj t’i dëgjoj me kujdes qytetarët, le të zhvillohet debat, ne u qëndrojmë në dispozicion qytetarëve t’u shërbejmë në tërësi”, tha Zaev.