Kryeministri Zoran Zaev, në margjinat e Samitit të shefave të qeverive të Evropës Qendrore dhe Lindore për bashkëpunim me Kinën, kishte takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Zaev i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministri i angazhuar për koordinim të politikave ekonomike, Koço Angjushev, sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Viktor Dimovski, i cili njëherit është edhe koordinator i procesit “16+1” dhe nga ambasadori i Maqedonisë dhe Hungarisë, Igor Esmerov, e ka theksuar organizimin e shkëlqyer të Samitit 16+1.

Zaev u falënderua për mbështetjen e përgjithshme dhe të rëndësishme të cilën Hungaria ia jep vendit në rrugën drejt BE-së dhe NATO, kumtoi pres-shërbimi qeveritar.

Kryeministri në takim e prezantoi Planin 3-6-9, si dhe hapat konkret që i ka ndërmarrë Maqedonia për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe për tërheqjen e investimeve të huaja.

Në bisedën me kolegun hungarez, Zaev në mënyrë të veçantë e ka theksuar insistimin e bashkëpunimit me opozitën për të gjitha çështjet e mëdha dhe të rëndësishme për integrimin euroatlantik të Maqedonisë.

Zaev u falënderua në emër të Qeverisë për mbështetjen e Hungarisë në sigurimin e kufirit tonë jugor me Greqinë në lidhje me krizën e emigrantëve me të cilën përballet BE-ja, shtohet në kumtesë.

Kryeministri Orban, i cili në takim ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Sijarto, u falënderua për pjesëmarrjen e Maqedonisë në Samit dhe njëherit i dërgoi urime Zaevit për zgjedhjen e tij për kryeministër.

Kryeministri hungarez theksoi se vendi i tij, sikur edhe deri më tani do të vazhdojë me mbështetjen e saj ndaj Maqedonisë në integrimet euroatlantike, shtohet në kumtesën e pres-shërbimit qeveritar.

Bashkëpunimi ekonomik është në ngritje, theksoi kryeministri Orban dhe shtoi se Hungaria do të vazhdojë t’i stimulojë kompanitë e tyre që të investojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.